Last Updated on 16/06/2026 by EL
Pas ditësh të vështira në betejë për jetën, lajme të mira vijnë nga Spitali Universitar i Traumës për efektivin e Policisë së Shtetit, Edison Adri, i cili mbeti i plagosur gjatë operacionit të 4 qershorit në Maliq.
Këtë të martë, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Skender Hita, vizitoi efektivin në ambientet e spitalit ku u informua nga stafi mjekësor se fatmirësisht gjendja e tij shëndetësore është përmirësuar dhe se tashmë ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Gjatë vizitës, Hitai shprehu mbështetjen dhe mirënjohjen për guximin dhe sakrificën e treguar në krye të detyrës, ndërsa theksoi se Policia e Shtetit do të vijojë e vendosur në luftën kundër krimit.
Ai theksoi gjithashtu se qeveria i ka akorduar atij shpërblimin e parashikuar nga legjislacioni në fuqi për punonjësit e policisë që plagosen në krye të detyrës, në vlerën e 30 milionë lekëve si dhe ai do të dërgohet jashtë shtetit me qëllim për të marrë ndihmq më të specializuar.
“E rëndësishme është që ti je mirë. Fola me drejtoreshën, më tha që ke nevojë për trajtime të mëtejshme, të cilat do të bëjmë të mundur të të dërgojmë edhe jashtë shtetit. Janë nisur procedurat për ta bërë këtë, por trimëria dhe guximi yt. Vërtet Enean nuk e kemi mes nesh, por akti yt heroik dhe i atij tregojnë që ne jemi të vendosur të bëjmë punën tonë më së miri. Çfarë të duhet, ndonjë gjë tjetër nga ana ime? Përveç kësaj që kemi bërë deri më tani. Edhe shpërblimi i qeverisë, një shumë prej 3 milionë euro, do të vazhdojmë dhe trajtimet e mëvonshme, që të bëjmë gjithçka që të jetë nevoja për ty”, tha Hita.
Adri u plagos gjatë operacionit për kapjen e të shumëkërkuarit Violand Braçellari, i cili hapi zjarr ndaj forcave të policisë. Në atë përplasje humbi jetën në krye të detyrës efektivi Enea Mekolli, ndërkohë që mbeti i plagosur Edison Adri.
Pjesë nga fjala e kryepolicit:
Erdha sot këtu për të të shtrënguar dorën, Edison, për të të uruar shërim sa më të shpejtë dhe për të të shprehur mirënjohjen më të thellë për guximin, përkushtimin dhe trimërinë e jashtëzakonshme që tregove gjatë përballjes me rrezikun.
Humbja e kolegut tonë të shtrenjtë, Enea Mekolli, i cili ra në krye të detyrës dhe sot është Dëshmor i Atdheut, është një dhimbje e madhe për të gjithë familjen e Policisë së Shtetit. Fatmirësisht, ti i mbijetove sulmit me armë dhe sot je mes nesh, duke na dhënë forcë dhe shpresë.
Mbështetja jonë, por edhe e qytetarëve që respektojnë ligjin dhe duan rendin dhe sigurinë, do të jetë e palëkundur për ty dhe për familjen e Eneas.
Dua t’i garantoj të gjithë punonjësit e Policisë së Shtetit që shërbejnë çdo ditë me integritet dhe sakrificë, se do të kenë gjithmonë mbështetjen time të plotë, në çdo kohë dhe përballë çdo sfide.
Qytetarëve iu garantoj se, pavarësisht rrezikut dhe kostove njerëzore që kjo luftë mund të sjellë, ne nuk do të tërhiqemi asnjë hap përballë krimit. Do të vazhdojmë të jemi në vijën e parë, me vendosmëri, profesionalizëm dhe dinjitet, për të luftuar krimin dhe për të garantuar sigurinë e qytetarëve./et
