Edhe Shqipëria ka bërë së fundmi një hap të rëndësishëm përpara, duke përmbushur standardet e përkohshme për shtetin e së drejtës (IBAR), çka i mundëson vendit të nisë mbylljen e kapitujve, deklaroi sot eurokomisionerja për Zgjerimin e Bashkimit Evropian, Marta Kos.
”Megjithatë, mbetet ende shumë punë për t’u bërë”, shtoi ajo.
”Ne duhet ta shohim këtë lëvizje përpara nga të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. Tani ekziston një dritare mundësie për të përparuar drejt anëtarësimit dhe ne nxisim të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor ta shfrytëzojnë atë”, theksoi Kos.
”Komisioni Evropian është i gatshëm të ecë përpara me të gjitha vendet kandidate, nëse ato përmbushin angazhimet e tyre për reforma dhe tregojnë përafrim të mjaftueshëm me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së si edhe me politikën e vizave”, shtoi ajo./mxh
