Ingrid Robeyns
Ashtu siç “vija e varfërisë” përcakton se çfarë nevojitet për një jetë bazike, ne kemi nevojë edhe për një “vijë të pasurisë”, për të treguar se kur pasuria ekstreme bëhet e dëmshme.
Ishte e pashmangshme që kjo të ndodhte një ditë: Elon Musk është bërë trilioneri i parë i planetit. Deri vonë, ekonomistët që flisnin për “triliona” i referoheshin Prodhimit të Brendshëm Bruto të ekonomive më të mëdha ose vlerës së akumuluar të trashëgimive që do t’u kalonin trashëgimtarëve të miliarderëve të sotëm. Fjala “trilion” nuk përdoret shpesh në bisedat e përditshme, aq më pak për të përshkruar pasurinë e një individi.
Por tani kemi hyrë në një fazë të re të epokës oligarkike. Më parë, kur përshkruanim pasurinë e miliarderëve më të pasur të botës, bëhej fjalë për disa qindra miliardë dollarë. Tre vjet më parë, pasuria totale e Musk vlerësohej rreth 250 miliardë dollarë. Ritmi me të cilin ajo është rritur të lë pa mend – ashtu si edhe ajo që përfaqëson.
Duhet të kuptojmë dy gjëra për trilionerët: çfarë përfaqëson saktësisht një trilion dollarë dhe pse ky nivel përqendrimi i pasurisë është i rrezikshëm.
Një trilion është 1.000.000.000.000 dollarë – ose, siç thuhet shpesh, “12 zero”. Makroekonomistët mund ta kuptojnë menjëherë peshën e këtij numri, por shumica prej nesh jo. Prandaj, kur shkrova një libër mbi nevojën për të vendosur një kufi të pasurisë personale, ose atë që e quaj “limitarianizëm”, propozova konceptin e “pagës ekuivalente për orë”, domethënë pagën që duhet të fitosh për të grumbulluar një pasuri të tillë.
Me fjalë të tjera, në rastin e Musk, çfarë page do t’i duhej për të mbledhur një trilion dollarë? Përgjigjja është se, edhe sikur të punonte 70 orë në javë, nga mosha 20 deri në 75 vjeç, pa bërë asnjë ditë pushim, ai do të duhej të paguhej rreth 5 milionë dollarë në orë. Për krahasim, paga mesatare për orë në SHBA është pak më pak se 25 dollarë.
Pse është problematik ky përqendrim i pasurisë?
Një arsye është drejtësia fiskale. Ekonomisti Gabriel Zucman ka treguar se miliarderët paguajnë norma reale taksimi shumë më të ulëta se pjesa tjetër e popullsisë. Kjo ndodh sepse sistemet tona ligjore përmbajnë shumë mundësi për shmangie tatimore: përmes zhvendosjes së flukseve financiare mes vendeve ku operojnë kompanitë e tyre, duke shfrytëzuar boshllëqet ligjore ose duke fshehur pasuritë në parajsa fiskale.
Për dekada me radhë, mendimi ekonomik neoliberal na ka nxitur të pranojmë uljen e taksave për më të pasurit me argumentin se, në fund, pasuria e tyre do të “rridhte poshtë” dhe do të përfitonin të gjithë. Pretendimi ka qenë se secili fiton kur të pasurit bëhen miliarderë – dhe tani trilionerë. Por edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar tashmë e ka pranuar se kjo nuk është e vërtetë. Është një mit ideologjik optimist, i ndërtuar për të na bërë të mos shqetësohemi për pabarazitë në rritje.
Një argument i dytë kundër miliarderëve dhe trilionerëve është shpërdorimi. Nuk ka asnjë arsye që një individ të zotërojë kaq shumë para. Dhe është skandaloze që, ndërkohë që shumë njerëz vdesin para kohe ose jetojnë jetë të cunguar me pak mundësi, më të pasurit marrin pjesën më të madhe të pasurisë që shoqëritë tona e prodhojnë kolektivisht.
Një shpërndarje më e barabartë e pasurisë në botë do t’i lejonte njerëzimit të përballej me sfida globale vendimtare, siç është ngrohja globale, ndërsa 99% e popullsisë së botës do të jetonte më mirë. Madje, ndoshta edhe 1% më i pasur do të përfitonte, duke qenë se pasuria ekstreme shpesh shoqërohet me izolim social dhe pasoja negative për shëndetin mendor. Dhe, pavarësisht kësaj, më të pasurit do të vazhdonin të gëzonin jetë jashtëzakonisht komode.
Dëmet e pasurisë ekstreme
Megjithatë, arsyeja më e rëndësishme kundër pasurisë së miliarderëve dhe trilionerëve janë dëmet që ajo shkakton.
Përqendrimi ekstrem i pasurisë minon demokracitë. Ai shoqërohet me emetime të mëdha të gazeve serrë dhe dëme mjedisore që nuk janë të nevojshme për një jetë dinjitoze. Këto pasoja krijojnë probleme sociale dhe madje dëmtojnë ekonominë, sepse fuqia e tepruar korporative rrezikon ta bëjë tregun më pak të drejtë dhe më pak konkurrues.
Një qasje e bazuar te dëmi është e huaj për mënyrën dominuese të të menduarit mbi paranë, e cila mbështetet në supozimin se, kur bëhet fjalë për grumbullimin e pasurisë, qielli është kufiri. Por kemi nevojë për një ndryshim paradigme në mënyrën se si mendojmë për efektet negative të përqendrimit ekstrem të pasurisë.
Si njeriu më i pasur në botë, Musk është një shembull i qartë i këtyre rreziqeve. Ai bëri donacionin më të madh në histori për një fushatë presidenciale, duke shpenzuar rreth 290 milionë dollarë për fushatën presidenciale të Donald Trump në vitin 2024. Më pas përdori fuqinë dhe ndikimin e tij për të krijuar Departamentin e Efiçencës Qeveritare (Doge), duke shkaktuar trazira në administratën publike amerikane.
Sipas autores, Musk ka kontribuar gjithashtu në shpërbërjen e USAID-it, agjencisë që financonte dhe zbatonte programe të shumta humanitare dhe zhvillimore, përfshirë ndërhyrje urgjente kundër urive. Shkencëtarët kanë vlerësuar se, si pasojë e mbylljes së USAID-it, deri në fund të vitit 2030 mund të humbin jetën më shumë se 14 milionë njerëz, përfshirë 4.5 milionë fëmijë nën moshën pesëvjeçare.
Pasuria ekstreme është pushtet ekstrem
Përqendrimi ekstrem i pasurisë nënkupton përqendrim ekstrem të pushtetit. Dhe, sipas autores, Musk po e përdor këtë pushtet, përfshirë përmes platformës së tij X, për të amplifikuar ndjenjat raciste dhe ksenofobike.
Ajo argumenton se ai ka ndërhyrë edhe në politikën e brendshme të vendeve europiane, duke mbështetur partitë e ekstremit të djathtë, si AfD në Gjermani, dhe duke sulmuar publikisht kryeministrin britanik.
Rreziku përfundimtar është ajo që quhet teoria e “fundlojës oligarkike”: një situatë ku pushteti përqendrohet në duart e supertë pasurve. Qeveritë, të kapura nga interesat e tyre, bëjnë gjithçka për të mbrojtur privilegjet e këtij grupi dhe mbështetësve të tij. Nëse kjo ndodh, vetë demokracia vihet në rrezik.
Nëse duam ta parandalojmë këtë skenar, duhet të gjejmë mënyra për të kufizuar nivelet aktuale të përqendrimit të pasurisë. Dhe jo vetëm trilionin e Musk. Ne kemi nevojë për nisma si projekti i “vijës së pasurisë ekstreme”, që synon të përcaktojë, mbi bazën e provave shkencore, pragun në të cilin pasuria fillon të shkaktojë dëme dhe ku duhet të vendoset “vija e pasurisë”, ashtu si përdorim “vijën e varfërisë” për të përcaktuar të ardhurat minimale për një jetë dinjitoze.
Por gjithçka fillon me të kuptuarit se miliarderët dhe trilionerët nuk janë shenjë suksesi. Ata janë shenjë e një sistemi jofunksional, që dëmton jetën e të gjithëve.
*Ingrid Robeyns është ekonomiste dhe filozofe belge-holandeze, autore e librit Limitarianism: The Case Against Extreme Wealth.
