Kina i bëri thirrje të enjten NATO-s që të “reflektojë seriozisht” mbi rolin e saj në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit global, pas deklaratave të Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, se aleanca po monitoron nga afër mbështetjen e Pekinit për Rusinë në luftën në Ukrainë.
“NATO duhet të korrigjojë perceptimin e saj të gabuar për Kinën dhe të ndalojë nxitjen e konfrontimit dhe zhvendosjen e fajit”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Lin Jian, në një konferencë për shtyp në Pekin.
I pyetur për komentet e Ruttes, Lin tha se NATO duhet të rishqyrtojë rolin e saj në mjedisin aktual ndërkombëtar.
“Si një relike e Luftës së Ftohtë, ajo duhet të reflektojë seriozisht mbi rolin që ka luajtur dhe ndikimin që ka pasur në paqen dhe stabilitetin në botën e sotme”, tha Lin.
Rutte tha të mërkurën se NATO “po përpiqet vazhdimisht të ndjekë saktësisht atë që po bën Kina” kur u pyet për raportimet se Pekini po trajnon Rusinë.
“Sa i përket Kinës, ajo që dimë është shmangia e sanksioneve, mallrat me përdorim të dyfishtë etj. Ne nuk jemi naivë. Ne ndjekim gjithçka me saktësi”, tha ai.
Lin tha se Kina “ka mbajtur një qëndrim objektiv dhe të drejtë, duke bërë përpjekje aktive për t’u dhënë fund armiqësive dhe për të promovuar bisedimet e paqes” lidhur me luftën në Ukrainë.
Sipas tij, Pekini nuk i ka furnizuar palët në konflikt me armë vdekjeprurëse dhe ka vendosur kontroll të rreptë mbi artikujt me përdorim të dyfishtë.
– Takimi i sigurisë i BRICS-it në Indi
Ndërkohë, takimi i 16-të i këshilltarëve të sigurisë kombëtare dhe përfaqësuesve të lartë të sigurisë së BRICS-it do të mbahet të hënën dhe të martën në Nju Delhi.
Sipas një deklarate të Ministrisë së Jashtme kineze, ministri i Jashtëm kinez Wang Yi do të marrë pjesë në takim.
Gjatë mbledhjes, Kina do të diskutojë situatën e sigurisë ndërkombëtare, çështjet kryesore rajonale dhe globale, si dhe përgjigjet ndaj sfidave të sigurisë konvencionale dhe jokonvencionale me anëtarët e tjerë të BRICS-it, tha ministria.
Sipas saj, vendet e BRICS-it janë “të përkushtuara për ruajtjen e paqes botërore, promovimin e zhvillimit të përbashkët, praktikimin e multilateralizmit dhe mundësimin e një qeverisjeje globale më të drejtë dhe më të barabartë” në një mjedis ndërkombëtar gjithnjë e më të paqëndrueshëm./mxh