Ndryshe nga një dron i zakonshëm, “miza” e zhvilluar nga Kina ka krahë që lëvizin si ato të një insekti të gjallë, është pothuajse pa zhurmë dhe kontrollohet nga një telefon celular përmes Bluetooth-it.
Një mini-dron me përmasa sa një mizë, i projektuar për operacione speciale ushtarake dhe misione spiunazhi, është prezantuar nga Universiteti Kombëtar i Teknologjisë së Mbrojtjes në Kinë.
Ky mini-dron imiton fluturimin e insekteve dhe peshon më pak se 0.3 gramë. Nga ana e dizajnit, ai mund të pajiset me sensorë shumë të vegjël për mbikëqyrje dhe zbulim. Gjithashtu, mund të mbajë një mikrokamerë dhe një mikrofon të vogël për të regjistruar imazhe, tinguj ose sinjale elektronike.
Ndryshe nga dronët konvencionalë, “miza” e zhvilluar në Kinë ka krahë që lëvizin njësoj si ato të një insekti të vërtetë. Për më tepër, është shumë e qetë në funksionim dhe kontrollohet nga një telefon celular nëpërmjet Bluetooth-it.
Mini-droni: Avantazhet dhe disavantazhet
Kina ka ndjekur një qasje të ndryshme në zhvillimin e teknologjive ushtarake, duke krijuar mjete zbulimi që janë praktikisht të padukshme për syrin e njeriut, jashtëzakonisht të vështira për t’u zbuluar nga radarët dhe të afta të depërtojnë në zona ku dronët e tjerë ose ekipet e zbulimit nuk mund të arrijnë.
Këta dronë shumë të vegjël, me përmasa sa pëllëmba e dorës ose edhe më të vegjël, mund të përdoren për vëzhgimin e objektivave, zbulimin urban, operacionet në ambiente të mbyllura dhe mbledhjen e informacionit drejtpërdrejt nga zona e synuar. Për shembull, ata mund të kalojnë pa u vënë re nga detektorët e metaleve ose kamerat e sigurisë dhe të përdoren si pajisje përgjimi.
Megjithatë, kjo teknologji ka edhe disa kufizime të dukshme. Së pari, për shkak të përmasave shumë të vogla, mini-dronët nuk mund të pajisen me bateri të mëdha. Si pasojë, koha e fluturimit është e kufizuar dhe autonomia e tyre varion vetëm nga 1 deri në 3 minuta.
Gjithashtu, për shkak se janë shumë të lehtë dhe delikatë, erërat e forta mund t’i dëmtojnë, t’i rrëzojnë ose t’i devijojnë nga trajektorja e tyre./a.d
