Këngëtarja e njohur Shakira ka folur për marrëdhënien e saj të gjatë dhe personale me futbollin dhe Botërorin, duke e përshkruar si një lidhje të thellë dhe të pandërprerë.
49-vjeçarja dha një intervistë për revistën “People”, ku kujtoi fillimisht vitin 2006, kur u shfaq në Kupën e Botës së bashku me Wyclef Jean me hitin “Hips Don’t Lie”.
Ajo veçoi veçanërisht Botërorin e vitit 2010, ku interpretoi këngën ikonike “Waka Waka (This Time for Africa)”, të cilën e cilësoi si një pikë kthese në jetën e saj dhe në karrierën artistike.
“Është e pabesueshme që kam këtë lidhje me futbollin, e cila duket e pandashme”, u shpreh ajo.
Shakira tregoi gjithashtu se gjatë asaj periudhe njohu ish-partnerin e saj, futbollistin Gerard Piqué, me të cilin krijoi familje. Ajo theksoi se “Waka Waka” është e lidhur ngushtë me jetën e saj personale dhe me lindjen e fëmijëve, të cilët i quan me humor “fëmijët Waka”.
Ajo u ndal edhe te Botërori 2014 në Brazil, ku interpretoi këngën “La La La (Brazil 2014)” ndërsa ishte shtatzënë me djalin e saj më të vogël, duke treguar se publiku e kishte vënë re gjendjen e saj pavarësisht fazës së hershme të shtatzënisë.
Në vijim, këngëtarja foli për pjesëmarrjen e saj më të fundit në një edicion të turneut, ku u ngjit në skenën e ceremonisë hapëse së bashku me Burna Boy me këngën zyrtare “Dai Dai”.
Ajo gjithashtu theksoi se po përgatitet për një moment historik: pjesëmarrjen në shfaqjen e parë “halftime” të finales së Kupës së Botës, që do të mbahet më 18 korrik në stadiumin MetLife, ku do të performojë së bashku me Madonna dhe BTS.
Në përfundim, Shakira tha se çdo Botëror për të është një “përvojë magjike”, duke shtuar se muzika dhe futbolli kanë fuqinë të bashkojnë njerëzit në momente të vështira shoqërore dhe politike. Kur u pyet se çfarë e sjell vazhdimisht në këtë event, ajo u përgjigj shkurt: “Fati”./mxh
