Last Updated on 17/06/2026 by EL
Kryeministri Edi Rama ka publikuar në llogarinë e tij dy Amendamente që janë diskutuar sot në Parlamentin Europian; një që është rrëzuar dhe një tjetër që ka marrë dritën jeshile nga europarlamentarët.
I pari është paraqitur nga eurodeputetja italiane Ilaria Salis dhe disa anëtarë të grupit politik The Left, i cili synonte të përfshinte në rezolutën për Shqipërinë një referencë të drejtpërdrejtë ndaj projektit turistik në ishullin e Sazanit dhe zonën e mbrojtur të Vjosë-Nartës.
Kurse amendamenti i dytë që ka marrë dritën jeshile, u bën thirrje autoriteteve shqiptare që të vendosin menjëherë një moratorium për të gjitha procedurat e reja të lejeve, punimet e ndërtimit dhe ndërhyrjet zhvillimore brenda zonave të mbrojtura derisa të shfuqizohen dispozitat e papajtueshme të Ligjit të ndryshuar për Zonat e Mbrojtura.
Kryeministri Edi Rama ka publikuar në llogarinë e tijtë dy Amendamentet dhe thotë se “edhe PARLAMENTI EUROPIAN e ndau “shapin” e stuhisë digjitale të dizinformimit nga “sheqeri” i zonës së mbrojtur Vjosë – Nartë, e cila nuk ka asnjë lidhje me zhvillimin që europarlamentarët e rrëzuar me votën e shumicës dërrmuese, futën qorrazi si amendament të Rezolutës për Shqipërinë.”
“Tani o është çmendur dhe korruptuar krejt Europa, që përmes Parlamentit të saj e vlerëson lart Shqipërinë dhe nxit anëtarësimin tonë sa më parë në BE, o ka diçka që nuk shkon me ata që e nisën protestën e javëve të fundit me mbrojtjen e flamengove dhe po e bitisin si luftë për pushtet në emër të flamengove!
Në çdo rast flamengot do të mbrohen, Vjosë-Narta do të mbrohet, Zvërneci do të zhvillohet bazuar në një Vlerësim të Ndikimit në Mjedis sipas standarteve të Bashkimit Europian dhe ne do të vazhdojmë ta ngjisim Shqipërinë në majën ku ndodhet shtëpia e Europës së Bashkuar”, shkruan kryeministri Edi Rama.
