Akademikët shqiptarë jashtë vendit përmes një deklarate kanë shprehur mbështetjen e tyre për protestat që po zhvillohen në Shqipëri kundër qeverisë.
Pas kësaj deklarate, ka reaguar ish-ministri Ditmir Bushati i cili përmes një postimi në rrjetet sociale ku ka publikuar deklaratën dhe emrat e akademikëve që mbështesin protestat, thekson se nuk ka gjë më patriotike se ku ajka e kombit në diasporë shpreh gadishmërinë për ripërtëritjen demokratike, një model të ri politik, ekonomik e social për vendin.
Ish-ministri shprehet se beteja për ripërtëritjen demokratike të vendit nuk ka qenë kurrë e lehtë dhe as përpjekje e një personi të vetëm.
Bushati deklaron se atdheu ka nevojë për shkundje ndërsa nënvizon se, kontributi i diasporës është i pazëvendësueshëm.
“Nuk ka gjë më patriotike sesa kur ajka e kombit në diasporë shpreh gadishmërinë për ripërtëritjen demokratike, një model të ri politik, ekonomik e social për vendin. Për një patriotizëm të ri që mbron dhe promovon demokracinë në çdo sferë të pushtetit dhe shoqërisë. Në thelb të të cilit është siguria e qytetarëve, të drejtat e tyre, mundësitë e barabarta për të gjithë, një ekonomi që bazohet në dije, solidariteti dhe kohezioni social.
Beteja për ripërtëritjen demokratike të vendit nuk ka qenë kurrë e lehtë dhe as përpjekje e një personi të vetëm. Përkundrazi, është betejë e përditshme kolektive që kërkon strategji, përqendrim forcash, etikë, ide dhe guxim. Atdheu ynë ka nevojë për një shkundje. Kontributi i diasporës është i pazëvendësueshëm”, nënvizon ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati./mxh
