Një nga çështjet më të bujshme kriminale në SHBA-të është mbyllur zyrtarisht, pasi Rex Heuermann, 62 vjeç, është dënuar me burgim të përjetsh për vrasjen e tetë grave, trupat e të cilave u gjetën pranë Gilgo Beach në Long Island.
Arkitekti nga New York-u pranoi fajësinë për vrasjen e shtatë viktimave dhe pranoi edhe vrasjen e Karen Vergata, 34 vjeçe. Ai kishte mohuar akuzat pas arrestimit të tij në vitin 2023.
Gjykata i dha tre dënime të njëpasnjëshme me burgim të përjetshëm pa mundësi lirimi me kusht, si dhe katër dënime të tjera nga 25 vjet deri në burgim të përjetshëm për viktimat e tjera të identifikuara.
Seanca gjyqësore u shoqërua me dëshmi emocionale nga familjarët e viktimave, të cilët përshkruan dhimbjen e gjatë që kanë përjetuar ndër vite. Motra e një prej viktimave e cilësoi të pandehurin “një përbindësh të neveritshëm”.
Prokurorët deklaruan se seria e vrasjeve dyshohet të ketë nisur që në vitin 1993, ndërsa mbetjet e viktimave u zbuluan në vitet 2010–2011, duke ngritur alarm për një vrasës serial aktiv.
Pika vendimtare e hetimit erdhi në vitin 2022, kur ADN-ja e Heuermann u lidh me provat në vendngjarje, përfshirë edhe një mostër të gjetur nga ushqimi i tij.
Autoritetet thonë se hetimet për raste të tjera të mundshme në zonë vijojnë, edhe pse ai nuk është akuzuar për viktima shtesë./mxh
