Më shumë se 40 mace të vjedhura janë ribashkuar me pronarët e tyre pasi policia vietnameze goditi një rrjet të trafikimit të mishit të maceve dhe shpëtoi rreth 400 kafshë shtëpiake që dyshohet se ishin destinuar për therje, njoftuan organizatat për mbrojtjen e kafshëve.
Nëntë persona u arrestuan javën e kaluar në lidhje me grupin kriminal, i cili sipas mediave lokale specializohej në vjedhjen dhe grumbullimin e maceve në jug të Vietnamit.
Gjatë operacionit, autoritetet gjetën më shumë se 400 mace të gjalla të mbyllura në kafaze dhe rreth 80 mace të ngordhura të ruajtura në akull, ndërsa 21 mace të tjera u sekuestruan në një vend tjetër.
Organizata Humane World for Animals tha se rreth 100 nga macet e shpëtuara kanë ngordhur më pas për shkak të kushteve të rënda që kishin përjetuar. Megjithatë, dhjetëra kafshë janë rikthyer te familjet e tyre, ndërsa vullnetarët dhe veterinerët vijojnë të kujdesen për të mbijetuarat.
Konsumi i mishit të qenve dhe maceve është i ligjshëm në Vietnam, megjithëse tregtarët janë të detyruar të disponojnë dokumente që vërtetojnë origjinën e kafshëve. /mxh
