Last Updated on 18/06/2026 by Kesjana
Gazetari Marin Mema ka reaguar sërish publikisht në mbrojtje të natyrës dhe trashëgimisë kulturore, duke kujtuar betejat e tij shumëvjeçare kundër shkatërrimit të pyjeve dhe betonizimit të zonave të mbrojtura në Shqipëri.
Në një status të publikuar në rrjetet sociale, Mema rikthehet në vitin 2008, kur nisi denoncimet për prerjen e pyjeve në Lurë. Ai tregon se gjatë asaj periudhe u përball me kërcënime pasi filmoi persona të lidhur me strukturat lokale duke prerë pemë shekullore.
“Realizova katër reportazhe për Lurën dhe ajo natyrë, që dëgjonte zhurmën e sharrave në vend të këngës së zogjve, dukej sikur më thërriste vazhdimisht të kthehesha”, shkruan ai.
Mema kujton se për vite me radhë ka ndjekur dhe denoncuar dëmtimin e zonave natyrore në Prespë, Gërmenj-Shelegur, Drenovë, Hotovë dhe shumë vende të tjera të vendit. Sipas tij, gjatë këtyre përpjekjeve nuk kanë munguar përplasjet, madje në disa raste janë dëmtuar edhe pajisjet filmike.
Gazetari thekson se zhvillimi nuk duhet të identifikohet me betonizimin, por me ruajtjen e vlerave natyrore dhe historike të vendit.
“Zhvillimi i vërtetë matet me vlerat që ruajmë, jo me sasinë e betonit që derdhim”, shprehet ai, duke kujtuar edhe kundërshtimet ndaj ndërtimeve që, sipas tij, kanë dëmtuar gjurmët historike në Durrës, Sarandë dhe Tiranë.
Në reagimin e tij, Mema përmend gjithashtu kërkesën e Parlamentit Europian për vendosjen e një moratoriumi dhe shfuqizimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura.
Duke iu referuar protestave qytetare, ai thekson se nuk synon të marrë role drejtuese, por të qëndrojë mes qytetarëve.
“Nuk e bëj për t’i prirë protestave, sepse unë jam dhe do të qëndroj mes protestuesve. Aty në mes, si një prej tyre”, shkruan Mema.
Në fund të mesazhit të tij, gazetari nënvizon se angazhimi për mbrojtjen e natyrës, historisë dhe trashëgimisë kombëtare nuk lidhet me interesa personale apo politike, por me dashurinë për vendin dhe përgjegjësinë ndaj brezave të ardhshëm.
Mesazhi i plotë
Këto dy fotografi i përkasin më shumë se 15 apo 16 viteve më parë, kur nga njëri cep në tjetrin të vendit luftoja sa mundesha për të nxjerrë në dritë dhe për të denoncuar shkatërruesit e pyjeve dhe dëmtuesit e natyrës!
Mbaj mend kur, në vitin 2008, nisa të luftoja për të penguar sa të mundja shkatërrimin e Lurës. Në atë kohë më kërcënuan, sepse gjeta dhe filmova persona të lidhur me strukturat lokale teksa prisnin pemë shekullore.
Realizova katër reportazhe për Lurën dhe ajo natyrë, që dëgjonte zhurmën e sharrave në vend të këngës së zogjve, dukej sikur më thërriste vazhdimisht të kthehesha.
Për vite me radhë jam marrë me zonat që po shkatërroheshin: nga Prespa, në Gërmenj-Shelegur, Drenovë, Hotovë e kudo tjetër. Isha vetëm 27-28 vjeç atëherë, kur ruaja për orë të tëra kamionët që po shkatërronin paqen dhe mrekullinë e natyrës.
Kudo kam hasur vështirësi. Madje, në disa raste, kemi përfunduar edhe me kamera të thyera. Por nuk jemi tërhequr.
Pa dyshim, ka shumë zona që kanë nevojë për zhvillim. Por zhvillim nuk do të thotë betonizim. Zhvillimi i vërtetë matet me vlerat që ruajmë, jo me sasinë e betonit që derdhim.
Ende më kujtohen përplasjet e shumta për betonin që hidhej mbi gjurmët mijëravjeçare të Durrësit, Sarandës dhe zonave të ndryshme të Tiranës.
Kjo është edhe ajo që kërkoi Parlamenti Europian: vendosjen e një moratoriumi dhe më pas shfuqizimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura.
Është dhimbje të shkatërrosh çdo vend. Është dhimbje të mos mendosh pak më larg se e sotmja. Është dhimbje të zhdukësh zona të tëra pa kthim.
Natyra, historia dhe trashëgimia nuk janë pengesë për zhvillimin. Ato janë vetë themeli i tij.
Nuk e kam bërë këtë betejë sepse kam kërkuar diçka për veten time; as pozita, as karrige, as përfitime. Nuk dua asgjë! E kam bërë sepse më dhemb ky vend. Sepse besoj se ta duash vendin tënd do të thotë të thuash të vërtetën, edhe kur ajo është e pakëndshme. Do të thotë të mbrosh atë që është e përbashkët për të gjithë ne, pa llogaritur koston personale.
Këtë kam bërë dje, këtë bëj sot dhe këtë do të vazhdoj ta bëj gjithmonë. Nuk e bëj për ti prirë protestave, sepse unë jam e do të qëndroj mes protestuesve! Aty në mes, si një prej tyre! Ky është qëndrim nga i cili nuk lëkundem! Vendi nuk duhet për pozita, por sepse është shpirti, zemra, rrënjët, kujtimet, identiteti, gjaku, e shkuara, e tashmja, e ardhmja! Ndaj kam reaguar prej ditës së parë, kur shumë heshtën, kam dalë në protestë që në fillesë dhe kështu çdo ditë pa u ndalur, mes qytetarëve! Marin Mema/kb
