Last Updated on 18/06/2026 by Anisa
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar finalizoi më 17 qershor një operacion madhor ndaj një rrjeti të fuqishëm kriminal me shtrirje ndërkombëtare, i përfshirë në trafikun e tonelatave të kokainës në Europë dhe pastrimin e parave në Shqipëri.
Hetimet e koordinuara me autoritetet e Anglisë, Spanjës dhe Belgjikës kanë çuar në lëshimin e 20 masave të sigurisë nga Gjykata e Posaçme (GJKKO), përmbledhur në një vendim voluminoz prej 855 faqesh.

“Samiti” në Aruba dhe takimet sekrete të bosëve
Dosja hetimore bazohet në dëshmi vizuale dhe përgjime të zbërthyera nga aplikacioni i enkriptuar SkyECC. Mes provave kryesore radhiten fotografitë e takimeve të zhvilluara gjatë periudhës 2018–2021, ku krerët e rrjetit koordinonin ndarjen e zonave të influencës dhe planet e investimeve.
Takimi i Arubës: Në ishullin e njohur të Antileve Holandeze, SPAK ka dokumentuar takimin e eksponentëve më të lartë të krimit shqiptar në botë.
Të pranishëm në këtë takim rezultojnë:
Bashkim Osmani (shtetas nga Kosova, i hetuar më parë nga disa vende europiane për trafik droge).
Artur Shehu (i njohur për investimet e pronave në Zvërnec).
Adrian Rama (nipi i “Mirit të Xhikës”, pjesë e rrjetit Hamzai-Koçeku).
Persona të tjerë si Toni Lipaj dhe Arben Ismailaj.
Takimi i Antverpit (Belgjikë): I dokumentuar më 12 shkurt 2019, ku Alfredo Hamzai është fotografuar së bashku me anëtarët e grupit të tij: Arben Ismailaj, Elton Memeti dhe Adrian Rama.

Rrjeti i trafikut dhe “Investitorët Strategjikë”
Sipas SPAK, grupet kriminale të drejtuara nga Luçiano Koçeku dhe Alfredo Hamzai menaxhonin linja të rëndësishme të trafikut të narkotikëve në shkallë kontinenti. Përfitimet financiare, që llogariten në miliarda, dyshohet se transferoheshin në Shqipëri për t’u futur në ekonominë formale.
Skema e pastrimit të parave
Prokuroria zotëron prova të konsiderueshme se të dyshuarit, në bashkëpunim me emra si Ilir Shtufi, Orges Birçaj, Orest Sota dhe Artur Shehu, kanë kryer një sërë veprimesh noteriale për blerjen e pasurive të paluajtshme.
Paratë janë investuar në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të fshehur në kompani të njohura ndërtimi, të cilat kanë përfituar lehtësisht leje zhvillimi dhe statusin e “investitorit strategjik”./a.d
