Ngadalësimi forcon argumentet që Banka e Anglisë të mbajë të pandryshuara normat e interesit.
Rritja e pagave në sektorin privat në Britaninë e Madhe ra në nivelin më të ulët në më shumë se pesë vjet gjatë tre muajve deri në prill, duke forcuar pritshmëritë që Banka e Anglisë të mbajë të pandryshuara normat e interesit në mbledhjen e së enjtes.
Sipas të dhënave të Zyrës Kombëtare të Statistikave, rritja vjetore e pagave javore në sektorin privat, pa përfshirë bonuset, u ngadalësua në 2.9%, nga 3.1% në tre muajt deri në mars.
Në të gjithë ekonominë, rritja e pagave të rregullta mbeti e pandryshuar në 3.4%, mbi pritshmëritë e analistëve prej 3.2%.
Ngadalësimi vjen në një kohë kur punësimi mbetet i dobët: në prill, numri i punonjësve në listëpagesa ra me 0.5%, ose 138 mijë, krahasuar me një vit më parë.
Louise Murphy, ekonomiste e lartë në fondacionin Resolution Foundation, tha se shifrat tregojnë se pagat e punonjësve në sektorin privat kanë rënë në terma realë që prej tetorit të kaluar, ndërsa presioni pritet të vazhdojë gjatë verës.
Sipas saj, dobësia në tregun e punës po shfaqet përmes rritjes së punës së parregullt, si vetëpunësimi dhe kontratat me zero orë, papunësisë më të lartë te të rinjtë dhe rritjes më të ulët të pagave.
Të dhënat për tregun e punës vijnë pas shifrave të publikuara të mërkurën, që treguan se inflacioni në Britani mbeti papritur i pandryshuar në 2.8% në maj, pavarësisht rritjes së fortë të kostove globale të energjisë për shkak të konfliktit në Lindjen e Mesme.
Këto të dhëna forcojnë pritshmëritë që Komiteti i Politikës Monetare i Bankës së Anglisë të mbajë të pandryshuara normat e interesit në 3.75% këtë javë, edhe pse dy prej anëtarëve të tij kanë sinjalizuar shqetësime për efektet e zgjatura të goditjes energjetike mbi presionet më të gjera të çmimeve.
James Smith, ekonomist në ING, tha se të dhënat e së enjtes sugjerojnë se kompanitë i kanë përballuar presionet e kostove përmes punësimit më të dobët dhe se kjo duhet ta mbajë Bankën e Anglisë në kursin për të mos ndryshuar normat sot.
Ai shtoi: “Për sa kohë marrëveshja me Iranin qëndron, mendojmë se rritjet e normave mund të shmangen.”
Ashley Webb, nga Capital Economics, tha se rritja e pashmangshme e inflacionit CPI në muajt e ardhshëm, si pasojë e kalimit të çmimeve më të larta të energjisë te konsumatorët, do të jetë një “test i madh nervash” për Bankën e Anglisë.
Sipas tij, pavarësisht shenjave të stabilizimit në shifrat e fundit, tregu i punës mbetet shumë i dobët dhe ka gjasa të dobësohet më tej.
Matja zyrtare e papunësisë nga ONS, bazuar në anketën e fuqisë punëtore, tregoi se papunësia ishte 4.9% në tre muajt deri në prill, nga 5% në tre muajt deri në mars. Kjo lidhej me rritjen e pasivitetit ekonomik, ndërsa norma e punësimit mbeti e pandryshuar.
Liz McKeown, drejtore e statistikave ekonomike në ONS, tha se numri i punonjësve të rinj të rekrutuar ishte në nivelin më të ulët në pesë vjet.
Vendet e lira të punës ranë gjithashtu në nivelin më të ulët pas pandemisë, në 707 mijë, duke shtuar shqetësimet për mundësitë e pakta për të rinjtë që kërkojnë punën e parë.
Sekretari britanik për Punën dhe Pensionet, Pat McFadden, tha se qeveria po çon përpara reformat më të mëdha të punësimit të të rinjve në një brez.
Paundi mbeti pothuajse i pandryshuar ndaj dollarit, në 1.329 dollarë. Yield-i i obligacioneve dyvjeçare britanike u rrit në 4.19%.
Disa investitorë e panë rritjen më të lartë se pritshmëritë të pagave si shenjë se ekonomia po ecën më mirë nga sa pritej, çka mund të rrisë mundësinë e një rritjeje të normave të interesit më vonë këtë vit./ Financial Times-ad
