Last Updated on 18/06/2026 by EL
Deputetët e PD gjatë seancës së sotme në Kuvend kanë vijuar me bllokimin e foltores. Bllokimi i katërt në këtë seancë, erdhi pasi opozita u shpreh se kryeparlamentari, Niko Peleshi nuk i dha fjalën deputetes, Jorida Tabakut.
“Protestë më qesharake se kjo, kërkohet të marrë fjalë dikush që nuk është sallë, nuk e kisha parë ndonjëherë. Sipas rregullores së Kuvendit, më vjen keq për këtë situatë të krijuar në mënyrë artificiale, kërkohet për të marrë fjalën 3 minuta, ndërkohë që opozita e ka mundësinë të flasë 300 minuta.
Duan të flasin 3 minuta për një deputete që nuk është në sallë. Jemi informuar që mbrëmë për këtë strategji. Duam të diskutojmë për amnistinë, për kodin rrugor. Kërkoj mbylljen e seancës, interpelancat të quhen të ekzekutuara dhe të kalohet në votim”, tha kryetari i Grupit Parlamentar i PS, Taulant Balla.
Peleshi pas debatit në Kuvend kaloi në votim rendin e ditës pa diskutim e cila u miratua me 79 vota pro dhe dy kundër.
Teksa opozita vijonte bllokimin e foltores dhe bënin thirrje për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, Peleshi njoftoi ndërprerjen e seancës për 5 minuta./et
