Një nga monumentet më të famshme të botës, Partenoni, ka shënuar një moment historik me përfundimin e restaurimit të fasadës së tij perëndimore.
Ministrja greke e Kulturës, Lina Mendoni, njoftoi se punimet janë mbyllur me sukses, duke kurorëzuar një projekt që ka zgjatur më shumë se dy shekuj.
Pas heqjes së skelave në anën perëndimore të tempullit antik, vizitorët mund të shohin për herë të parë fasadën e restauruar plotësisht, e cila kishte mbetur e mbuluar nga ndërhyrjet restauruese për më shumë se 200 vjet.
Punimet përfshinë rikthimin e lidhjeve strukturore të monumentit përmes vendosjes së dy mbështetëseve të rindërtuara dhe restaurimit të një muri mbajtës.
Ky restaurim është pjesë e një programi të gjerë konservimi të Akropolit të Athinës, i financuar pjesërisht nga fondet e Bashkimit Evropian Ekspertët përdorën elemente origjinale antike të restauruara, si dhe mermer të ri për të zëvendësuar pjesët e humbura ndër shekuj.
Përpjekjet moderne për restaurimin e Akropolit nisën në mesin e shekullit XIX.
Në atë periudhë, diplomati britanik Lord Elgin kishte larguar tashmë shumë nga skulpturat e njohura të Partenonit dhe i kishte dërguar në Angli mes viteve 1801 dhe 1812, një çështje që vazhdon të ngjallë debate edhe sot.
Ministrja Mendoni e cilësoi përfundimin e projektit si një “moment historik” jo vetëm për Partenonin, por edhe për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore në mbarë botën. Sipas saj, restaurimi kërkoi saktësi të jashtëzakonshme teknike dhe respekt maksimal për autenticitetin e monumentit.
Partenoni, simbol i qytetërimit të lashtë grek dhe një nga atraksionet më të vizituara në botë, tani shfaqet më pranë formës së tij origjinale, duke ofruar një pamje të re të këtij thesari të njerëzimit që ka mbijetuar për më shumë se 2 400 vjet./mxh
