Vendet anëtare të Bashkimit Europian kanë mendime të ndryshme për mënyrën se si duhet të sillen me Kinën, e cila ishte tema kryesore e diskutuar nga liderët evropianë në takimin e fundit.
Kryeministri i Luksemburgut, Luc Frieden, e cilësoi Kinën si një rrezik për ekonominë europiane. Sipas tij, pabarazitë në tregti dhe ekonomi janë “një kërcënim ekzistencial” për industrinë dhe ekonomitë e vendeve të BE-së.
Në anën tjetër, kryeministri spanjoll Pedro Sánchez mbajti një qëndrim më bashkëpunues. Ai tha se Evropa ka nevojë për miq dhe duhet të krijojë ura me partnerë të rinj të mundshëm.
Megjithatë, gjithnjë e më shumë liderë evropianë po afrohen me qëndrimin më të ashpër ndaj Pekinit.
Kryeministrja daneze Mette Frederiksen tha se Evropa duhet të ketë guximin të reagojë dhe të mbrojë interesat e saj, edhe përballë Kinës.
Në fund, liderët e BE-së gjetën një rrugë të mesme. Ata i kërkuan Komisionit Evropian të ndjekë dy drejtime:
– Të vazhdojë dialogun me Kinën dhe partnerët e tjerë ekonomikë, duke mbrojtur interesat ekonomike dhe të sigurisë së Evropës.
– Të forcojë mjetet tregtare dhe politikat industriale, në mënyrë që BE-ja të jetë më e përgatitur për të mbrojtur ekonominë e saj dhe për të ulur varësinë nga Kina.
Pra, Europa nuk zgjodhi as përplasje totale me Kinën dhe as afrim të plotë, por një qasje të kujdesshme: bashkëpunim, ndërsa mbron interesat e veta./mxh
