Aktorja e njohur hollivudiane, Anne Hathaway, ka zbuluar se është në pritje të fëmijës së saj të tretë. Ylli i “Djalli vishet me Prada” ndau lajmin e bukur me ndjekësit përmes një videoje të publikuar në Instagram.
Në video, 43-vjeçarja shfaqet e veshur me një fustan të bardhë elegant, ndërsa fillimisht mban duart mbi bark. Nën tingujt e këngës “Baby I’m Yours” nga Barbara Lewis, ajo largon duart dhe zbulon barkun e rrumbullakosur të shtatzënisë.
Anne Hathaway dhe bashkëshorti i saj, Adam Shulman, janë tashmë prindër të dy djemve, Jonathan, 10 vjeç, dhe Jack, 6 vjeç.
Prej disa ditësh, mediat kishin spekuluar për një shtatzëni të mundshme të aktores, pasi ajo u fotografua gjatë pushimeve në Saint-Tropez.
Në fotografitë e publikuara, Hathaway shihej me bikini dhe me një fustan të bardhë, duke nxitur dyshimet për barkun e saj të rrumbullakosur, të cilat tashmë janë konfirmuar nga vetë aktorja./mxh
