Kuba ka premtuar reforma “urgjente” në mënyrën se si menaxhon ekonominë e saj, mes një krize sociale në përshkallëzim dhe presionit në rritje nga Shtetet e Bashkuara, që përfshin edhe kërcënime për ndërhyrje të mundshme ushtarake.
Paketa e re e masave, e cila synon forcimin e sektorit privat dhe nxitjen e investimeve të huaja, mund të përbëjë ndryshimin më të madh të modelit ekonomik kuban që nga vitet e para të revolucionit në vitet 1960.
Reformat, të miratuara njëzëri nga parlamenti kuban, parashikojnë hapjen e rrugës për zhvillimin privat të pasurive të paluajtshme, lejimin e funksionimit të bankave private dhe shitjen e aksioneve në kompani shtetërore tek investitorë privatë, përfshirë edhe të huaj.
“Nënshtetasve kubanë që jetojnë jashtë vendit dhe duan të investojnë, të dhurojnë, të importojnë teknologji, të hapin tregje apo të ndërtojnë projekte në atdheun e tyre, do t’u ofrojmë një kuadër të qartë, të qëndrueshëm dhe respektues”, deklaroi presidenti kuban, Miguel Díaz-Canel, gjatë një fjalimi televiziv.
Kuba po përballet me presion të fortë ekonomik dhe politik nga administrata e presidentit amerikan Donald Trump, e cila ka kërkuar hapjen e ekonomisë së ishullit dhe lirimin e të burgosurve politikë. Që nga fillimi i vitit, SHBA-të kanë kufizuar ndjeshëm importet e energjisë drejt Kubës dhe ka vendosur sanksione të reja ndaj sektorëve kyç të ekonomisë.
Megjithatë, Díaz-Canel theu dekada retorikë të udhëheqjes kubane duke pranuar se jo të gjitha problemet ekonomike të vendit shkaktohen nga sanksionet amerikane.
Në fjalën e tij para Komitetit Qendror të Partisë Komuniste, ai pranoi se një pjesë e vështirësive lidhen edhe me pengesa të brendshme, duke përmendur ngadalësinë, burokracinë dhe rregullat që pengojnë prodhimin dhe zhvillimin ekonomik.
“Situata kërkon ndryshime urgjente dhe të domosdoshme”, u shpreh ai.
Gjatë muajit të fundit, SHBA-të kanë lënë të kuptohet se mund të marrin masa më të ashpra ndaj Kubës nëse nuk zbatohen reforma të thella. Gjatë një vizite në bazën ushtarake amerikane në Guantánamo Bay, sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, paralajmëroi Kubën të mos kërkojë raketa apo armë të tjera që mund të kërcënojnë territorin amerikan.
Presioni amerikan ka thelluar krizën ekonomike që nisi pas pandemisë së COVID-19, e cila goditi rëndë industrinë turistike të vendit. Në shumë zona të Kubës, qytetarët furnizohen me energji elektrike vetëm për disa orë në ditë, ndërsa spitalet dhe shkollat janë prekur seriozisht nga mungesat.
Ekspertët e çështjeve kubane kujtojnë se regjimi komunist ka premtuar edhe më parë hapjen e ekonomisë, por pa i zbatuar plotësisht këto plane. Gjatë administratës së Barack Obama dhe presidencës së Raúl Castro, Uashingtoni dhe Havana nisën një proces afrimi që përfshinte edhe lehtësimin e investimeve të huaja.
Megjithatë, sipas ish-zyrtarëve amerikanë, Fidel Castro ka punuar në prapaskenë për të penguar hapjen ekonomike, nga frika se reformat mund të çonin në humbjen e kontrollit politik.
Díaz-Canel, i cili mori drejtimin e vendit në vitin 2019 pas Raúl Castros, u konsiderua fillimisht si një reformator i mundshëm. Megjithatë, analistët vlerësojnë se ai nuk ka pasur ndikimin politik të nevojshëm për të realizuar ndryshime të thella.
Presidenti kuban pranoi se disa nga reformat e propozuara “nuk do të gëzojnë konsensus të plotë”, por theksoi se ato nuk mund të shtyhen më./mxh
