Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka reaguar lidhur me çështjen e pagave në sistemin e drejtësisë. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Meta thotë se shqetësimi i shqiptarëve nuk është fakti që prokurorët dhe gjyqtarët në Shqipëri marrin 500 euro më shumë pagë se kolegët e tyre në Greqi.
Sipas tij, shqetësimi madhor është fakti që drejtësia shqiptare nuk vepron njësoj si ajo greke, veçanërisht përballë dyshimeve për abuzime dhe vjedhje të fondeve të Bashkimit Europian për bujqësinë përmes skemës IPARD.
“Shqetësimi madhor i qytetarëve shqiptarë nuk është pse prokurorët dhe gjyqtarët në Shqipëri marrin 500 euro më shumë në pagë se kolegët e tyre në Greqi. Shqetësimi madhor është pse nuk veprojnë si kolegët e tyre në Greqi, sidomos kur bëhet fjalë për abuzimin dhe vjedhjen e fondeve të BE-së për bujqësinë, përmes skemës IPARD”, shkruan Meta.
Duke iu referuar situatës në Greqi, Meta pretendon se përballë dyshimeve për abuzime me fondet europiane ka pasur arrestime të zyrtarëve të lartë dhe heqje të imuniteteve parlamentare, duke i hapur rrugë hetimeve të mëtejshme.
Sipas Metës, bujqësia shqiptare ka humbur qindra milionë euro ndihma, ndërsa përgjegjësitë penale, institucionale dhe politike për këtë situatë ende nuk kanë marrë një përgjigje të qartë nga drejtësia.
“Në Greqi, përballë dyshimeve për abuzime me fondet europiane, pati mbi 37 arrestime të zyrtarëve të lartë dhe u hoqën 13 imunitete parlamentare të partisë në pushtet, duke i hapur rrugën drejtësisë për hetime të plota dhe shteruese, pavarësisht se Greqia e mbështet bujqësinë në mënyrë të jashtëzakonshme nga buxheti i shtetit. Ndërsa në Shqipëri, për të tretin vit radhazi, fondet IPARD të BE-së për fermerët mbeten të bllokuara.
Bujqësia shqiptare ka humbur mbi 300 milion euro ndihma, ndërkohë që përgjegjësitë penale, institucionale dhe politike vazhdojnë të mbeten pa një përgjigje të qartë nga drejtësia sepse Edi Rama i ka bllokuar qëllimisht hetimet. Ky është shqetësimi i vërtetë i shqiptarëve sot. Jo sa paguhet një gjyqtar apo një prokuror”, thotë Meta.
Meta argumenton se Shqipëria ka nevojë për një drejtësi që jo vetëm heton dhe ndëshkon, por edhe parandalon abuzimin me fondet publike.
“Por nëse drejtësia është vërtet e pavarur dhe e gatshme, jo vetëm të hetojë dhe të ndëshkojë, por edhe të parandalojë vjedhjen e parave të shqiptarëve, dëmet kolosale që u shkaktohen fermerëve shqiptarë si në rastin e fondeve IPARD, aferat e panumërta që gllabërojnë qindra milion euro, përfshi dhe grabitjen e fondeve ndihmë të Bashkimit Europian”, përfundon Meta./mxh
