Përveç emocioneve në fushë, një tjetër çështje që ka tërhequr vëmendje gjatë Kupës së Botës 2026 janë çmimet e biletave, të cilat në disa raste kanë arritur shifra marramendëse.
Sipas të dhënave të FIFA-s, biletat për ndeshjet e fazës së grupeve kanë nisur nga rreth 60 dollarë, ndërsa ato për finalen e madhe kanë shkuar deri në 8 mijë dollarë. Në tregun sekondar, ku biletat rishiten nga tifozët dhe platformat e specializuara, çmimet kanë qenë edhe më të larta.
Për sfidat më të kërkuara, tifozët janë detyruar të paguajnë mbi 1 mijë dollarë për një vend në stadium, ndërsa për finalen që do të zhvillohet në New York-New Jersey, disa bileta janë rishitur për më shumë se 15 mijë dollarë.
Sipas Reuters, kostot e larta kanë shkaktuar reagime të shumta mes tifozëve dhe kanë ndikuar që në disa ndeshje të fazës së grupeve të shiheshin vende bosh në tribuna. Nga ana tjetër, FIFA ka mbrojtur politikën e saj të çmimeve, duke theksuar se interesi për turneun ka qenë jashtëzakonisht i madh.
Një rast i veçantë u regjistrua pas surprizës së Kepit të Gjelbër ndaj Spanjës. Interesi i menjëhershëm për ndeshjen ndaj Arabisë Saudite bëri që çmimet e biletave të rriteshin me mbi 150%, duke e kthyer atë takim nga një prej më të përballueshmëve në një nga më të kërkuarit e turneut./mxh
