Last Updated on 20/06/2026 by Anisa
Doktor Eduart Tushe, i njohur nga të gjithë si “Doki Edi”, u nda nga jeta në moshën 72-vjeçare, duke lënë pas një dhimbje të madhe te familjarët, kolegët dhe qindra familje shqiptare që për vite me radhë i besuan shëndetin e fëmijëve të tyre. Sipas raportimeve, ai madje ka vizituar 18 fëmijë në ditën që ndërroi jetë, duke treguar përkushtimin e tij deri në momentet e fundit.
Për dekada me radhë, ai u konsiderua jo vetëm si një mjek i aftë, por edhe si një figurë e dashur dhe humane. Përkushtimi i tij ndaj pacientëve, mënyra e komunikimit dhe kujdesi i vazhdueshëm bënë që të fitonte respektin dhe mirënjohjen e shumë prindërve që e kujtojnë sot me vlerësim të veçantë.
Sipas koleges së tij prej vitesh, gjinekologes Genta Dedej, doktor Tushe është ndarë papritur nga jeta si pasojë e një infarkti të menjëhershëm, i cili nuk i la kohë për asnjë fjalë apo amanet të fundit.
Megjithatë, përtej karrierës së suksesshme dhe vlerësimit profesional, ai mbarti me vete edhe një dhimbje personale të thellë. Sipas Dedej, marrëdhënia me të birin kishte kohë që ishte ndërprerë, një plagë që nuk u shërua deri në fund të jetës së tij.
Ajo ka treguar në një intervistë për emisionin “Rudina” edhe një bisedë që pasqyron këtë peng të madh të mjekut:
“Pengu i tij më i madh ishte djali i tij i cili nuk u kujtua dhe nuk deshi asnjëherë… Është një histori divorci, diçka ka ndodhur që është ndërprerë një komunikim midis babait e djalit dhe kjo gjë nuk u rregullua dot edhe pasi doktori i bëri një thirrje publike në një nga mediat e Shqipërisë. Por unë dua t’i them djalit të doktorit që ai duhet të jetë krenar për babain e tij dhe doktor Edi do ta pranonte djalin e tij sido që të ishte, kudo që të ishte, çfarëdo që të kishte bërë dhe priti deri në ditën e fundit që të kishte një sinjal, por…Ky ishte pengu më i madh që kishte doktori dhe që e mori me vete në botën tjetër.”
Doktor Tushe do të kujtohet si një figurë e përkushtuar e mjekësisë shqiptare, e cila la pas jo vetëm kontribut profesional, por edhe histori njerëzore që prekën shumë familje./a.d
