Kanceri i veshkës është një sëmundje që shpesh nuk shfaq simptoma të qarta në fazat e hershme, duke bërë që pacientët të drejtohen te mjeku vetëm kur shenjat bëhen të dukshme dhe sëmundja ka përparuar. Kjo e vështirëson trajtimin dhe ul mundësitë e shërimit.
Ndaj ekspertët theksojnë rëndësinë e diagnostikimit të hershëm dhe aksesit në trajtime moderne. Ndërgjegjësimi i publikut është vendimtar, veçanërisht për personat mbi 50 vjeç.
Sipas specialistëve, simptomat që nuk duhet të injorohen përfshijnë: praninë e gjakut në urinë, dhimbje të vazhdueshme në zonën e veshkave, lodhje kronike, temperaturë pa shkak të qartë infektiv dhe tension të lartë që vështirë të kontrollohet.
Faktorët e rrezikut përfshijnë moshën e madhe (zakonisht 60–70 vjeç), duhanpirjen, obezitetin, hipertensionin, sëmundjet kronike të veshkave, ekspozimin ndaj substancave toksike si dhe në disa raste trashëgiminë familjare.
Ekspertët theksojnë se në fazat e hershme, trajtimi kryesor është kirurgjia, ndërsa në fazat e avancuara përdoren terapi të synuara dhe imunoterapia, të cilat kanë përmirësuar ndjeshëm mbijetesën dhe cilësinë e jetës së pacientëve.
Sipas mjekëve, përparimet e viteve të fundit kanë bërë që shumë forma të kancerit të veshkës të kthehen nga sëmundje fatale në gjendje të menaxhueshme kronike.
Njëkohësisht, ata nënvizojnë rëndësinë e parandalimit përmes një stili të shëndetshëm jetese, sidomos duke shmangur duhanin dhe obezitetin, si dhe përmes kontrolleve të rregullta mjekësore./ad
