Olivia Rodrigo ka rikthyer edhe një herë emrin e saj në majat e industrisë muzikore. Këngëtarja amerikane ka debutuar në vendin e parë të klasifikimit Billboard 200 me albumin e saj më të ri, You Seem Pretty Sad for a Girl So in Love, duke regjistruar rezultatin më të mirë të karrierës së saj.
Projekti, i publikuar më 12 qershor, mblodhi 485 mijë njësi ekuivalente albumi gjatë javës së parë, duke u bërë debutimi më i suksesshëm i një artisti solo këtë vit në Shtetet e Bashkuara.
Një rol të rëndësishëm në këtë sukses luajtën edhe 15 versionet fizike të albumit, të cilat ndihmuan në rritjen e shitjeve. Vetëm nga kopjet e shitura, albumi arriti në 164 mijë njësi, ndërsa performanca në formatin vinil u konsiderua më e mira e vitit për një artiste femër.
Ky është albumi i tretë i Olivia Rodrigos që arrin të pushtojë Billboard 200. Ajo kishte arritur të njëjtin sukses edhe me Sour në vitin 2021 dhe me Guts në vitin 2023, duke forcuar më tej pozicionin e saj mes emrave më të rëndësishëm të muzikës pop.
Përpara publikimit të albumit, artistja prezantoi këngët Drop Dead dhe The Cure, të cilat u pritën mjaft mirë nga publiku dhe kontribuuan në pritshmëritë e larta për projektin e ri.
Paralelisht me suksesin në klasifikime, Rodrigo po bëhet gati të nisë turneun e saj të ardhshëm, The Unraveled Tour, që do të startojë më 25 shtator në Hartford. Pas ndalesave në Amerikën e Veriut, turneu do të vazhdojë në Evropë gjatë vitit 2027.
Ndërkohë, ngjitja e Olivia Rodrigos në krye ka sjellë ndryshime edhe në renditjen e Billboard 200. Drake, me albumin Iceman, ka zbritur në vendin e dytë pas katër javësh në krye, ndërsa pas tij renditen Ella Langley me Dandelion, Morgan Wallen me I’m the Problem dhe Noah Kahan me The Great Divide.
Me këtë arritje të re, Olivia Rodrigo vazhdon të dëshmojë se mbetet një nga figurat më të fuqishme dhe më të suksesshme të muzikës pop në skenën ndërkombëtare./mxh
