Raundi i parë i bisedimeve mes SHBA-së dhe Iranit në Zvicër përfundoi. Duket se ka pasur afrime të qëndrimeve. Pritet të ketë më shumë shkëmbime p.sh. mbi situatën në Ngushticën e Hormuzit.
SHBA dhe Irani ranë dakord për një plan drejt një marrëveshjeje të përhershme paqeje. Pas raundit të parë të negociatave në Zvicër gjatë gjithë javës priten bisedime të tjera në nivel ekspertësh. Vendet ndërmjetësuese, Katari dhe Pakistani, theksuan se synimi mbetet arritja e një marrëveshjeje përfundimtare brenda 60 ditësh.
Delegacioni i palës amerikane drejtohej nënpresidenti JD Vance, ndërsa ai i palës iraniane nga kryetari i parlamentit Mohammad Bagher Ghalibaf.
Të dyja palët shprehen për një bilanc pozitiv
Shtetet ndërmjetësuese thanë se atmosfera e bisedimeve ishte konstruktive dhe u shprehën për “përparime inkurajuese”. Ministri i Jashtëm i Iranit, Abas Aragçi, lëvdoi Pakistanin dhe Katarin për ndërmjetësimin e bisedimeve dhe u shpreh po ashtu për përparime të rëndësishme.
Sipas nënpresidentit amerikan Vance bisedimet përbëjnë një bazë të mirë për një marrëveshje të suksesshme për t’i dhënë fund luftës me Iranin. “Ende nuk e kemi ndërtuar shtëpinë, por kemi krijuar një themel të fortë për të arritur një rezultat të mirë për popullin amerikan”, tha Vance.
Vance: Sërish inspektime bërthamore në Iran
Sipas Vance Irani ka rënë ndër të tjera dakord t’i lejojë sërish inspektorët e Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike(IAEA) të hyjnë në vend. Megjithatë për këtë ende nuk është caktuar ndonjë afat. Negociatorët kishin tentuar t’i kontaktonin inspektorët rreth orës 2 të mëngjesit, por shumica nuk ishin përgjigjur në telefon. Irani nuk e ka konfirmuar deri tani rifillimin e kontrolleve.
Kanal komunikimi për Ngushticën e Hormuzit dhe Libanin
Siç deklaruan shtetet ndërmjetësuese, është krijuar gjithashtu një kanal komunikimi mes palëve në konflikt për të shmangur keqkuptimet ose incidentet në Ngushticën e Hormuzit. Kjo ngushticë është një rrugë e rëndësishme për ekonominë botërore për tregtinë e plehrave kimikë, të naftës dhe të gazit të lëngshëm nga vendet e Gjirit Persik.
Përveç kësaj, së bashku me Libanin pritet të krijohet një lloj strukture për zgjidhjen e konflikteve, me qëllim që të ndalen luftimet në vend, thuhet në deklaratë. Në Liban zhvillohen luftime mes Izraelit dhe milicisë pro-iraniane Hezbollah./kb
