Më 18 nëntor 2026, sonda Voyager 1 do të arrijë një tjetër rekord historik në eksplorimin e hapësirës. Ajo do të bëhet objekti i parë i ndërtuar nga njeriu që ndodhet një “ditë dritë” larg Tokës, në një distancë prej mbi 1.079 miliardë kilometrash.
Në praktikë, kjo do të thotë se një sinjal radio i dërguar nga Toka do të ketë nevojë për 24 orë për të mbërritur te sonda. Për një komunikim të plotë vajtje-ardhje do të duhen pothuajse 48 orë.
Voyager 1 dhe Voyager 2 janë të vetmet sonda të ndërtuara nga njeriu që kanë dalë jashtë heliosferës, zonës së ndikimit të Diellit, dhe kanë hyrë në hapësirën ndëryjore. Voyager 1 e kaloi këtë kufi në vitin 2012, ndërsa Voyager 2 në vitin 2018.
Të dyja u lëshuan në vitin 1977 me mision për të studiuar Jupiterin dhe Saturnin. Misioni fillestar duhej të zgjaste vetëm katër vjet, por gati pesë dekada më vonë sondat vazhdojnë të funksionojnë dhe të dërgojnë të dhëna nga skajet e Sistemit Diellor.
Megjithatë, koha po mbaron për Voyager 1. Gjeneratorët e saj me plutonium prodhojnë sot më pak se gjysmën e energjisë që kishin në momentin e nisjes. Për të kursyer energji, NASA ka fikur gradualisht shumë instrumente shkencore, përfshirë kamerat.
Për të zgjatur jetën e sondës edhe disa vite, inxhinierët po përgatisin një ndërhyrje teknike të ndërlikuar nga distanca. Operacioni synon të riorganizojë sistemet elektrike për të ulur konsumin e energjisë, por përfshin edhe rreziqe. Nëse diçka shkon keq, komunikimi me sondën mund të humbasë përgjithmonë.
Pavarësisht sfidave, Voyager 1 vazhdon udhëtimin e saj drejt hapësirës së thellë me një shpejtësi prej rreth 61 mijë kilometrash në orë. Edhe pasi të pushojë së transmetuari të dhëna në vitet 2030, ajo do të vazhdojë të udhëtojë në galaktikë për mijëra vjet.
Në bord ndodhet edhe i famshmi “Disk i Artë”, i krijuar nga ekipi i astronomit Carl Sagan, që përmban fotografi të Tokës, tinguj, muzikë dhe përshëndetje në dhjetëra gjuhë. Në këtë mënyrë, edhe pasi të heshtë përgjithmonë, Voyager 1 do të mbetet ambasadorja më e largët e njerëzimit në Univers./kb
