Sekretarja e Gruas në Partinë Socialiste, Evis Kushi deklaroi sot se protesta është një e drejtë demokratike dhe zëri i qytetarëve duhet të dëgjohet, por nuk mund të justifikohet gjuha e urrejtjes.
Përmes një videomesazhi, Kushi u shpreh se “gjatë gjithë këtyre ditëve të gjithë jemi dëshmitarë të një gjuhe urrejtjeje të jashtëzakonshme në rrjetet sociale dhe në hapësirën publike”.
“Kam reaguar dhe më parë për këtë fenomen dhe ndjej detyrimin ta përsëris edhe sot. Respektoj të drejtën e çdo qytetari për të protestuar dhe për të shprehur pakënaqësinë e tij. Protesta është një e drejtë demokratike dhe zëri i qytetarëve duhet të dëgjohet. Por pak Kënaqësia nuk mund të justifikojë gjuhën e urrejtjes, fyerjet, mallkimet dhe sulmet personale”, tha Kushi.
Sipas saj, “demokracia forcohet nga argumenti dhe respekti, jo nga përçarja”.
“Le të mos u mësojmë fëmijëve tanë se fiton ai që bërtet më fort apo fyen më rëndë. Le t’u tregojmë se fiton respekti, dialogu dhe qytetaria”, u shpreh Kushi.
Ndërsa në lidhje me protestën, Kushi theksoi se “është e vërtetë që sot ka shumë protestues në shesh, por ka akoma më shumë qytetarë të tjerë në shtëpitë e tyre që kanë votuar që Shqipëria të bëhet pjesë e familjes së madhe evropiane”.
“Sfidat e vendit nuk zgjidhen me përçarje, por me bashkëpunim, këmbëngulje dhe përgjegjësi. Shqipëria ka nevojë për stabilitet, për institucione të forta, institucione që funksionojnë, për vazhdimësi në reformat e nisura dhe për dialog mes palëve sa herë që lindin pa qartësi apo pa kënaqësi. Dhe Shqipëria fiton jo kur thellohen ndarjet mes njëri-tjetrit, por kur jemi të gjithë bashkë dhe kur e duam më shumë njëri-tjetrin”, u shpreh Kushi./mxh
