Temperaturat e larta që po përfshijnë vendin po rrisin rrezikun për probleme shëndetësore, sidomos te të moshuarit, fëmijët dhe personat me sëmundje kronike.
Instituti i Shëndetit Publik u ka bërë thirrje qytetarëve që të tregojnë kujdes të shtuar gjatë ditëve të nxehta, duke ndjekur disa masa të thjeshta parandaluese për të shmangur komplikacionet e mundshme.
Mjekët ekspertë këshillojnë hidratim të vazhdueshëm, shmangie të ekspozimit në diell gjatë orëve të pikut dhe qëndrim në ambiente të freskëta dhe të ajrosura.
Po ashtu, rekomandohet përdorimi i veshjeve të lehta dhe me ngjyra të çelëta, si dhe kufizimi i aktivitetit fizik në orët më të nxehta të ditës.
Specialistët theksojnë se në rast të shenjave si marramendje, lodhje e tepruar apo vështirësi në frymëmarrje, qytetarët duhet të kërkojnë menjëherë ndihmë mjekësore dhe të konsultohen me mjekun.
ISHP apelon për vigjilencë gjatë kësaj periudhe, duke nënvizuar se respektimi i këtyre këshillave është thelbësor për mbrojtjen e shëndetit publik gjatë valëve të të nxehtit./ kb
