Last Updated on 24/06/2026 by Kesjana
Ndryshimet klimatike po transformojnë stinët në Europë, duke e zgjatur verën dhe duke rritur ndjeshëm numrin e ditëve me temperatura të rrezikshme. Një studim i ri tregon se Italia, së bashku me Spanjën jugore, Greqinë dhe Turqinë, përjeton sot deri në 40 ditë më shumë stres termik të fortë në vit krahasuar me vitet 1970. Stresi termik nuk mat vetëm temperaturën e ajrit, por mënyrën se si nxehtësia perceptohet nga trupi i njeriut. Në këtë tregues ndikojnë lagështia, era, rrezatimi diellor dhe aftësia e organizmit për të ruajtur ekuilibrin termik. Studimi, i publikuar në revistën shkencore Nature Climate Change nga studiues të European Centre for Medium-Range Weather Forecasts (ECMWF), analizoi ndryshimet globale të stresit termik gjatë 70 viteve të fundit. Rezultatet tregojnë se zonat e prekura nga nxehtësia e rrezikshme janë zgjeruar ndjeshëm dhe po përfshijnë rajone që më parë nuk përballeshin me temperatura kaq të larta. Sipas studiuesve, stresi termik i moderuar në Europë nis tani mesatarisht në mesin e muajit maj, ndërsa pesë dekada më parë fillonte në fillim të qershorit. Po ashtu, periudha e vapës zgjatet deri afër muajit tetor, duke bërë që vera të pushtojë gradualisht një pjesë të pranverës dhe vjeshtës. Analiza tregon se rajonet subtropikale të botës regjistrojnë deri në 50 ditë shtesë në vit me të paktën një episod stresi të fortë termik. Ndërkohë, rastet e stresit termik ekstrem janë bërë 2.5 herë më të shpeshta në Europë krahasuar me dekadat e kaluara. Një tjetër alarm vjen nga netët tropikale. Temperaturat gjatë natës po rriten më shpejt sesa ato gjatë ditës, duke e bërë gjithnjë e më të vështirë rikuperimin e organizmit pas vapës së ditës. Netët kur temperatura nuk bie nën 20 gradë Celsius po bëhen më të zakonshme, duke shtuar rreziqet për shëndetin, veçanërisht tek të moshuarit dhe personat me sëmundje kronike. Sipas studiuesve, kombinimi i ndryshimeve klimatike dhe rritjes së popullsisë ka bërë që sot rreth një miliard njerëz më shumë në botë të ekspozohen ndaj të paktën një dite shtesë me stres termik ekstrem çdo vit krahasuar me vitet 1970.
Ekspertët kërkojnë masa urgjente përshtatëse, përfshirë sisteme paralajmërimi të hershëm, plane kombëtare kundër vapës dhe investime në infrastrukturë që ndihmojnë qytetet të përballojnë temperaturat gjithnjë e më të larta. Ata paralajmërojnë se rritja e lagështisë së ajrit po e bën nxehtësinë edhe më të rrezikshme, pasi djersitja, mekanizmi natyror i trupit për t’u ftohur, nuk arrin më të kompensojë efektet e temperaturave ekstreme./kb
