Last Updated on 24/06/2026 by Anisa
Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Egjiptianëve të Ballkanit dhe të Javës Kulturore të Minoritetit Egjiptian, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA) ka shfaqur një ekspozitë me dokumente origjinale mbi historikun, traditat dhe përpjekjet për integrimin e këtij komuniteti në shoqërinë shqiptare.
Në këtë aktivitet të zhvilluar në hapësirën tonë kulturore “Auditor”, ishin të pranishëm Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave, z. Auron Rrokaj, Zëvendësdrejtoresha e Përgjithshme e Arkivave, znj. Marinela Ndria, Zëvendësdrejtor i Përgjithshëm i Arkivave, z. Endrit Musaj, përfaqësuesja e Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi, znj. Mirela Rrumbullaku, përfaqësuesi i Komitetit për Pakicat Kombëtare, z. Arjan Lile, drejtuesja ekzekutive e Qendrës “T’REJA”, znj. Ferdiola Rushiti, drejtori ekzekutiv i Lëvizjes Egjiptiane dhe Rome, z. Ervis Çota, deputeti i Parlamentit të Kosovës, z. Veton Berisha dhe historiani z. Rubin Zemon, pjesëtarë të pakicës egjiptiane në Kosovë dhe në Maqedoninë e Veriut.
Në panelin e organizuar në kuadër të simbolikës së 24 qershorit, diskutimi u përqendrua në rëndësinë e arkivave në ekspozimin e së shkuarës së minoriteteve në Shqipëri, për të nxjerrë në pah vlerat e bashkëjetesës në një shoqëri të larmishme. Në fjalën e tij të rastit, z. Rrokaj shprehu gatishmërinë për ndërmarrjen e nismave institucionale në mbështetje të komunitetit egjiptian. “Jam shumë i lumtur për organizimin e kësaj veprimtarie. Për arsye të përvojës profesionale, njoh shumë mirë detyrimet ligjore që DPA-ja ka si institucion. Në përputhje me hapësirën që ofron ligji, do të angazhohem për të luftuar vështirësitë në lidhje me punësimin e anëtarëve të këtij komuniteti. Po ashtu, do të shqyrtojmë mundësinë e ofrimit të shërbimeve tona në mënyrë preferenciale dhe mbetemi të hapur për propozime nga përfaqësues të organizatave që i janë bashkuar këtij aktiviteti”, u shpreh kreu i DPA-së.
Në fjalën e marrë, znj. Rrumbullaku e vlerësoi ekspozitën për shpalosjen e fakteve historike, të cilat dëshmojnë bashkëjetesën e gjatë dhe kontributin e komunitetit egjiptian në jetën publike të Shqipërisë. “Është kënaqësi që në emër të Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi të marr pjesë në këtë organizim të rëndësishëm në Ditën Ndërkombëtare të Egjiptianëve të Ballkanit. Jemi mbledhur në këtë institucion të memories kombëtare për të parë këto dokumente, që janë dëshmueset më të fuqishme të së vërtetës. Ky institucion është shtyllë e misionit për mbrojtjen dhe promovimin e barazisë. Nëse i hedhim një sy dokumenteve, që janë pasuri kombëtare gjejmë dëshmi të një bashkëjetese të gjatë dhe të kontributit që ky komunitet ka dhënë në jetën publike të Shqipërisë. Dokumentet e arkivave na tregojnë rrugën e vështirë të këtij komuniteti drejt njohjes së plotë si pakicë kombëtare. Lufta ndaj paragjykimeve bëhet e mundur me promovimin e fakteve historike dhe të vlerave kulturore”, tha znj. Rumbullaku.
Më tej, në fjalën e tij të rastit, z. Berisha e përshëndeti aktivitetin duke theksuar se evidentimi i së shkuarës është i domosdoshëm për krijimin e një fryme tolerance ndëretnike. “Jam këtu për të mbështetur dhe përshëndetur këtë aktivitet të një institucioni të rëndësishëm, siç është Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave. Përmes evidentimit të së shkuarës dhe publikimit të të dhënave të sakta, do të mund të fitohet respekti ndaj këtij komuniteti, ku dhe unë bëj pjesë. Do të doja të merrja riprodhimet e dokumenteve origjinale që ju keni ekspozuar, për t’i dorëzuar në arkivat e Kosovës”, tha z. Berisha.
“Sot po hedhim një hap historik sepse Shqipëria ka numrin më të madh të egjiptianëve mes vendeve të Ballkanit. Do të propozoja krijimin e një rrjeti ballkanik të arkivave me qendër në Tiranë, ku të mblidhen dokumente për popullsinë egjiptiane të rajonit. Shqipëria e ka shpirtin ndërkulturor. Do të ishte mirë që të dorëzoheshin sa më shumë dokumente mbi këtë komunitet pranë arkivave, sepse pa to nuk mund të kemi memorie kolektive. Unë do të dorëzoj disa dokumente nga arkiva ime personale”, përmbylli antropologu Zemon.
Mes dokumenteve origjinale që u paraqiten në ekspozitën e përgatitur me fondet e Arkivit Qendror Shtetëror (AQSH), bënin pjesë:
• Deklarata “Mbrojtja e Minoriteteve” e nënshkruar nga Fan Noli në emër të shtetit shqiptar në vitin 1921 në Gjenevë;
• Vendim i Këshillit të Ministrave në vitin 1994 për ”Arsimin 8-vjeçar në gjuhën amtare të personave të pakicave”;
• Lutje e disa banorëve me ngjyrë të Lagjes së Re të Tiranës mbi zgjedhjen e kryeplakut të lagjes së tyre në vitin 1939;
• Korrespondencë e Nënprefekturës së Lezhës me Prefekturën e Shkodrës në vitin 1929, mbi lëshimin e vizave njerëzve me ngjyrë prej Legatës Mbretërore të Romës;
• Konventa “Mbi luftën kundër diskriminimit në fushën e arsimit”, e përshtatur nga Organizata e Kombeve të Bashkuara në vitin 1963, si edhe dekreti i aprovimit nga shteti shqiptar.
Pjesë e aktivitetit ishte edhe shfaqja e një ekspozitë e fotografit Xhemali Moku, me imazhe të shkëputura nga momente pune të artizanëve të komunitetit egjiptian në Shqipëri.
Ky organizim i zhvilluar në hapësirën kulturore të DPA-së, që ka njëkohësisht funksionin e një salle eventesh, trajnimesh dhe kinemaje vjen në vazhdën e angazhimit institucional për të promovuar veprimtarinë e arkivave dhe për të njohur publikun me mënyrat e hulumtimit, si edhe me pasurinë e fondeve arkivore./ad




