Last Updated on 24/06/2026 by Monika
Ekonomia duhet të jetë prioriteti kryesor i qeverisjes dhe zëri i qytetarëve duhet të dëgjohet më shumë. Kështu shprehet eksperti i ekonomisë, Jakup Baqella, i cili vlerëson se në Shqipëri pothuajse çdo gjë është politizuar, përfshirë edhe ekonominë.
Sipas tij, ekonomia përmendet kryesisht gjatë fushatave elektorale, ndërsa në praktikë nuk ka qenë prioritet i asnjë qeverie. Baqella thekson se shoqëritë dhe shtetet zhvillohen përmes ekonomisë, ndërsa politika duhet të jetë në funksion të zhvillimit ekonomik.
Eksperti ngre shqetësimin se vendi vazhdon të mbetet i varur nga importet. Sipas tij, rreth 80 për qind e produkteve që konsumohen në vend importohen nga jashtë, ndërsa vetëm 20 për qind përfaqësojnë prodhimin vendas. Në këto kushte, ai kërkon ndryshim të politikave ekonomike dhe tregtare.
Jakup Baqella propozon një kalim gradual nga ekonomia e bazuar te importi drejt një ekonomie që mbështetet më shumë te prodhimi dhe eksporti. Ai thekson se prodhimi i brendshëm mbetet i ulët dhe se rritja e produktivitetit duhet të jetë një nga objektivat kryesore.
Sipas ekspertit, vëmendje e veçantë duhet t’i kushtohet sektorit të bujqësisë, pasi ai është baza e prodhimit të produkteve ushqimore. Edhe pse ka prodhim vendas, Baqella nënvizon nevojën për politika industriale që do të mundësojnë përpunimin dhe industrializimin e këtyre produkteve, me synimin që ato të jenë të disponueshme gjatë gjithë vitit dhe të reduktohet varësia nga importet.
Në përfundim, ai vlerëson se zhvillimi i prodhimit vendas, mbështetja e bujqësisë dhe rritja e eksporteve janë elementë kyç për forcimin e ekonomisë shqiptare dhe për uljen e varësisë nga tregjet e huaja./mxh
