Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, e përmbylli më 25 qershor një vizitë triditore në Gjirin Persik, me mesazhe për t’i qetësuar aleatët e Uashingtonit në rajon, duke ritheksuar synimin për ta ndjekur rrugën e diplomacisë me Iranin dhe duke këmbëngulur për lirinë e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit.
Duke folur pas një takimi ministror të Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit (GCC) në Bahrejn, ai u përpoq t’i zbusë shqetësimet mbi kornizën e marrëveshjes SHBA–Iran, duke theksuar se partnerët rajonalë do të njoftohen “në çdo hap të procesit” të bisedimeve.
Kjo vizitë, e para për të në Gjirin Persik qëkurse u nënshkrua marrëveshja e përkohshme SHBA–Iran javën e kaluar, vuri në pah si brishtësinë e procesit të paqes në zhvillim, ashtu edhe shqetësimet e aleatëve arabë që ende janë të tronditur nga sulmet iraniane gjatë konfliktit.
Asnjë befasi për aleatët
“Është e rëndësishme t’i theksojmë disa gjëra që janë prioritet për ne. Ne duam një marrëveshje, por jo me çdo çmim. Ne duam një marrëveshje të mirë”, tha ai gjatë takimit të GCC – i cili përfshin Bahrejnin, Kuvajtin, Omanin, Katarin, Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.
“Ne duam të sigurohemi se çdo vendim që merret gjatë këtij procesi negociues t’i përfshijë gjithmonë interesat e partnerëve dhe aleatëve tanë në rajon”, tha Marco Rubio.
Mesazhi kryesor i turneut të Rubios ishte sigurimi: çdo mirëkuptim përfundimtar me Teheranin do të duhej të trajtonte jo vetëm çështjet bërthamore, por edhe rrjetin e përfaqësuesve të Iranit, aktivitetin e raketave balistike dhe kërcënimet detare.
Duke folur për gazetarët në Manama, Rubio tha se mbështetja e Iranit për grupe të armatosura në rajon duhet të adresohet në bisedimet e gjera.
“Kur ju jepni para, për shembull, për Hezbollahun për të vepruar si rival i qeverisë sovrane të Libanit, ju ndërhyni në politikën e tyre. Kur mbështesni milici në Irak, ju ndërhyni në Irak. Kur mbështesni Hamasin ose huthët, ose këdo tjetër, ju ndërhyni në sovranitetin e këtyre vendeve”, tha Rubio.
Ai shtoi: “Nuk do të ketë paqe dhe stabilitet në këtë rajon për sa kohë që aktorë joshtetërorë veprojnë brenda kufijve të shteteve sovrane dhe financohen nga Irani”.
Duke e thënë këtë ai adresoi ndër druajtjet kryesore të shteteve të Gjirit: se Uashingtoni mund të arrijë një marrëveshje të ngushtë bërthamore, duke i lënë ato të ekspozuara ndaj luftës së ripërtërirë të grupeve të armatosura.
Memorandumi i mirëkuptimit (MOU) i nënshkruar nga presidenti amerikan, Donald Trump, dhe homologu i tij iranian, Masud Pezeshkian, nuk përmend grupet e armatosura si huthët në Jemen apo Hezbollahun në Liban. Nuk e përmend as programin e raketave balistike të Iranit.
Ngushtica e Hormuzit është kyç
Nëse kishte një çështje që Rubio e theksoi mbi të gjitha gjatë turneut, ajo ishte Ngushtica e Hormuzit.
“Një gjë që u bë shumë e qartë është se nuk ka asnjë mbështetje, zero mbështetje mes vendeve të Gjirit për çdo lloj takse apo tarife për përdorimin e ujërave ndërkombëtare”, tha Rubio.
Ai e ashpërsoi paralajmërimin më vonë: “Nëse po vendosni taksë për përdorimin e ngushticës, ne nuk do ta mbështesim, nuk do ta tolerojmë, nuk do ta lejojmë”.
Rubio përsëriti refuzimin për të bërë dallim mes “tarifave” dhe “taksave”.
“Mund ta quani tarifë, mund ta quani taksë, quajeni si të doni. Nëse po vendosni tarifë për përdorimin e ngushticës, ne nuk do ta mbështesim”, theksoi ai.
MOU përcakton se Irani do të bëjë “përpjekjet më të mira” për të siguruar kalim pa tarifa për “vetëm 60 ditë”, në pritje të një marrëveshjeje përfundimtare, shkruan REL./mxh
