Ukraina pritet të përfitojë 3,39 miliardë dollarë ndihmë të re nga Banka Botërore, njoftoi sot kryeministrja ukrainase Yulia Svyrydenko në Konferencën për Rimëkëmbjen e Ukrainës, në Gdansk të Polonisë.
Nga kjo shumë, 2,35 miliardë dollarë do të jepen në formë grantesh për stabilizimin e Ukrainës dhe ekonomisë së saj.
Ndërsa 1,04 miliardë dollarë të tjerë, do t’i jepen Kievit si kredi për zhvillimin ekonomik, të premtuar nga Britania e Madhe dhe Japonia.
Detajet se kur do të disbursohen fondet nuk janë dhënë ende.
Ukraina mbetet e varur nga ndihma e huaj, ndërsa vijon të përballet me pushtimin në shkallë të plotë të Rusisë, të nisur në shkurt të vitit 2022.
Konferenca për Rimëkëmbjen e Ukrainës po zhvillohet nën organizimin e kryeministrit polak Donald Tusk dhe homologes së tij ukrainase, Yulia Svyrydenko.
Në takim marrin pjesë Bashkimi Evropian, grupi i vendeve të industrializuara G7, Banka Botërore dhe institucione të tjera, si dhe përfaqësues të shumtë kompanish në Gdansk, të Polonisë./mxh
