Last Updated on 25/06/2026 by Monika
Presidenti amerikan Donald Trump ka lënë të kuptohet se Uashingtoni mund të ndërmarrë hapa të rëndësishëm në bashkëpunimin ushtarak me Turqinë, përfshirë mundësinë e rikthimit të Ankarasë në programin e avionëve luftarakë F-35.
Gjatë një konference të përbashkët për shtyp me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Trump u pyet nëse do t’i sillte një “dhuratë të madhe” presidentit turk Recep Tayyip Erdogan, siç janë avionët F-35 dhe motorët për avionin luftarak turk KAAN.
“Unë mendoj se po. Turqia është një anëtare e NATO-s. Është një aleate e fortë dhe ka një bazë të fuqishme të industrisë së mbrojtjes. Njerëzit nuk e kuptojnë sa e rëndësishme është Turqia nga pikëpamja ushtarake”, deklaroi Trump.
Presidenti amerikan konfirmoi gjithashtu se do të udhëtojë drejt Ankarasë për samitin e ardhshëm të NATO-s, duke theksuar se pjesëmarrja e tij vjen edhe si shenjë respekti ndaj presidentit Erdogan.
“Erdogani më telefonoi dhe më kërkoi të jem i pranishëm në samit. Do të shkoj nga respekti për të”, u shpreh Trump, duke e cilësuar liderin turk si “një udhëheqës të madh dhe të respektuar”.
Në deklaratat e tij, Trump foli edhe për tensionet e fundit në Lindjen e Mesme, duke pretenduar se ndërhyrja e tij diplomatike ka ndihmuar në shmangien e përfshirjes së Turqisë dhe fuqive të tjera në konfliktin me Iranin.
Ndërkohë, Zëvendëspresidenti amerikan JD Vance bëri të ditur se administrata amerikane po shqyrton aspektet ligjore që lidhen me rikthimin e Turqisë në programin F-35. Ankara u përjashtua nga ky program në vitin 2019 pas blerjes së sistemit rus të mbrojtjes ajrore S-400.
Sipas Vance, ekipet e sigurisë dhe mbrojtjes po analizojnë nëse plotësohen kushtet e nevojshme ligjore për të mundësuar një marrëveshje të re mes dy vendeve.
Zhvillimet e fundit sinjalizojnë një afrim të mundshëm mes Uashingtonit dhe Ankarasë në fushën e mbrojtjes, pas disa vitesh tensionesh në marrëdhëniet dypalëshe./mxh
