Nga Afrim Krasniqi
Ka një term për këtë, quhet “hubris”, – momenti kur pushteti i gjatë prodhon arrogancë, arroganca shkëputje nga realiteti, ndërsa shkëputja nga realiteti e bind sunduesin se mund t’i lejojë vetes gjithçka. Simbolik është rasti kur Kaligula shpalli synimin për ta emëruar kalin e tij konsull (senator), si shenjë dominimi, poshtërimi ndaj të tjerëve dhe treguesi se ai, i shkëputur nga realiteti, nuk ka nevojë për ligj dhe institucione, por mund të vendoste gjithçka që dëshironte.
Edhe ne kemi pasur dhe vijojmë të kemi “Kaligulat” tonë në historinë e brishtë shtetërore. Kuajt nuk i bëmë deputetë, por ca modele të çuditshme i bëmë edhe deputetë dhe një ekspozitë me kuajt e hapëm në hyrje të kryeministrisë pikërisht në kohën kur po shkruhej kontrata milionere e arkitektit me klientin e tij. Lexojeni anglisht dhe shqip: një botim luksoz, dedikuar audiencës së huaj, me parathënie të vetë kryeministrit, d.m.th., edhe me zgjedhje të përmbajtjes dhe miratim të tij, botohet edhe kjo letër e një prej arkitektëve të oborrit për klientin, i cili fitonte zgjedhjet me sloganin “ne bëjmë shtet”.
Ja shteti, vizioni, propozimi dhe ideja e shprehur, e përzgjedhur nga KM për tu përfshirë në libër, pa censurë, por shumë domethënëse për të kuptuar nivelin e deformimit të sistemit tonë politik dhe përfaqësues.
Nëse Shqipëria do të kishte qeveri funksionale dhe ministra me integritet, parlament funksional dhe kontrollues ndaj ekzekutivit, institucione ligjzbatuese dhe garantuese të drejtësisë, ky do të ishte një nga rastet për shqyrtim. Nëse.
