Avokati i Popullit, Endrit Shabani ka zhvilluar një inspektim në Shtëpinë e të Moshuarve në Tiranë, ku ka parë nga afër kushtet e jetesës së pensionistëve dhe problematikat me të cilat përballet ky sektor në vend.
Pas vizitës, Shabani ka bërë një propozim konkret, duke kërkuar që pasuritë e konfiskuara nga Prokuroria e Posaçme të shërbejnë si qendra për përkujdesjen e të moshuarve.
Sipas tij, situata kërkon ndërhyrje urgjente, pasi Shqipëria disponon vetëm 6 qendra publike rezidenciale për të moshuarit, me një kapacitet prej rreth 330 vendesh, ndërsa mbi 60 mijë të moshuar jetojnë vetëm.
Kërkesat për strehim dhe përkujdesje sociale, sipas Avokatit të Popullit, janë më të mëdha se kapacitetet ekzistuese, ndërkohë që shteti ka në administrim 63 ndërtesa të konfiskuara nga aktivitetet kriminale, përfshirë hotele, vila dhe apartamente.
“Vetëm këtë vit SPAK ka konfiskuar 2 milionë euro pasuri të krimit dhe korrupsionit. Institucionet publike mund t’i vënë këto prona dhe pasuri në shërbim të të moshuarve”, tha Endrit Shabani.
Gjatë inspektimit, Avokati i Popullit ka evidentuar gjithashtu mungesë të stafit mjekësor dhe infermierëve, si dhe mungesë të ambienteve të përshtatshme për trajtimin e të moshuarve me probleme të rënda shëndetësore.
Sipas tij, kthimi i pronave të sekuestruara në qendra sociale do të ishte një mënyrë për t’i dhënë një funksion publik pasurive të përfituara nga krimi dhe për të përmirësuar kushtet e jetesës së pensionistëve.
