Të paktën 12 persona kanë humbur jetën dhe 17 të tjerë janë plagosur, mes tyre edhe dy fëmijë, pas sulmeve ajrore ruse gjatë natës ndaj Kievit dhe rajonit përreth, sipas autoriteteve ukrainase.
Në kryeqytetit ukrainas, një nga objektivat e goditura ishte një depo hekurudhore e kompanisë shtetërore Ukrzaliznytsia. Nga tetë viktimat e raportuara në Kiev, gjashtë ishin punonjës të hekurudhave që ndodheshin në zonën e goditur gjatë sulmit.
Sulmet shkaktuan dëme të konsiderueshme edhe në infrastrukturën civile dhe në ndërtesa banimi. Kryetari i Kievit, Vitali Klitschko, bëri të ditur se shpërthimet shkaktuan zjarre në tre zona të ndryshme të kryeqytetit, ndërsa ekipet e emergjencës u angazhuan për shuarjen e flakëve dhe për kërkimin e personave të prekur.
Katër persona të tjerë u vranë në qytetin e Borispolit, në rajonin e Kievit. Autoritetet lokale raportuan gjithashtu për persona të plagosur dhe dëme në ndërtesa e objekte civile.
Sulmi i fundit vjen vetëm pak ditë pas një tjetër goditjeje vdekjeprurëse në rajonin e Kievit. Të premten, 38 persona u vranë pas një sulmi rus ndaj një depoje armësh. Shpërthimet pasuese të predhave, minave dhe dronëve shkaktuan viktima dhe dëme të mëdha në zonën përreth.
Nga ana tjetër, Ministria ruse e Mbrojtjes deklaroi se forcat ruse kishin kryer një “sulm masiv” duke përdorur armë me precizion të lartë. Sipas Moskës, objektivat ishin struktura të industrisë ushtarake dhe objekte të sektorit të karburanteve dhe energjisë në Kiev dhe në rajonin përreth.
Autoritetet ukrainase nuk kanë dhënë të njëjtin përshkrim për objektivat e goditura, duke theksuar se në sulm janë prekur edhe zona civile, ndërtesa banimi dhe infrastruktura hekurudhore.
Sulmet e vazhdueshme ndaj Kievit vijnë në një periudhë kur lufta mes Rusisë dhe Ukrainës vijon prej më shumë se katër vitesh. Rusia nisi pushtimin në shkallë të gjerë të Ukrainës në shkurt të vitit 2022, duke shkaktuar një konflikt të gjatë me mijëra viktima dhe miliona persona të zhvendosur.
Autoritetet ukrainase vijojnë të vlerësojnë dëmet e shkaktuara nga sulmet e fundit, ndërsa ekipet e shpëtimit po punojnë në zonat e goditura për të kontrolluar ndërtesat e dëmtuara dhe për të ndihmuar të plagosurit./k.m
