Last Updated on 26/06/2026 by EL
Imazhet e fundit të kapura nga sateliti Sentinel-6 Michael Freilich tregojnë se fenomeni klimatik El Niño po forcohet, duke rritur shqetësimet se mund të shndërrohet në një nga episodet më të fuqishme të dekadave të fundit. Organizatat ndërkombëtare FAO dhe Programi Botëror i Ushqimit (WFP) kanë bërë thirrje urgjente për financime, me synimin që të parandalohet një krizë humanitare përpara se ajo të përshkallëzohet.
Fotot satelitore të realizuara më 8 qershor zbulojnë një ngritje anormale të nivelit të sipërfaqes së Oqeanit Paqësor qendror dhe lindor. Sipas studiueses Severine Fournier, kjo tregon grumbullimin e një mase të madhe nxehtësie nën sipërfaqe, duke kujtuar kushtet e vitit 1997, kur u regjistrua një nga episodet më të forta të El Nino.
Pas konfirmimit të nisjes së fenomenit, Administrata Kombëtare Oqeanike dhe Atmosferike e SHBA-së (NOAA) vlerëson se ka 63% mundësi që El Niño të arrijë intensitet shumë të lartë deri në fund të vitit. Për këtë arsye, disa shkencëtarë e kanë quajtur në mënyrë jozyrtare “Super El Nino” ose “Godzilla”.
Megjithatë, rreziku nuk lidhet vetëm me motin. Shumë vende të varfra janë tashmë të rënduara nga borxhet, ndërsa konfliktet gjeopolitike dhe rritja e çmimeve të energjisë e plehrave kimike po e përkeqësojnë situatën. Sipas Famine Early Warning Systems Network, deri në fund të vitit 115–125 milionë njerëz mund të kenë nevojë për ndihmë urgjente ushqimore, me rrezik të lartë zie buke në Sudan, Sudanin e Jugut dhe Somali.
Për këtë arsye, FAO dhe WFP kanë nisur një apel të përbashkët për të siguruar 167 milionë dollarët që mungojnë nga fondi prej 202 milionë dollarësh, i cili do të përdoret për të mbrojtur 8.8 milionë persona përmes farërave rezistente ndaj thatësirës, mbrojtjes nga përmbytjet, sistemeve të ruajtjes së ujit dhe ndihmës financiare direkte.
Nga ana tjetër, Organizata Botërore Meteorologjike (WMO) tregohet më e kujdesshme, duke theksuar se ekziston ende pasiguri në modelet klimatike dhe se është herët për të përcaktuar me siguri se sa i fuqishëm do të jetë El Niño.
Pasojat nuk pritet të kufizohen vetëm te vendet në zhvillim. Studime të publikuara në Nature Climate Change tregojnë se El Nino mund të ndikojë edhe në vendet e pasura si SHBA, Australia, Japonia dhe Koreja e Jugut, për shkak të valëve më intensive të të nxehtit dhe përhapjes më të madhe të sëmundjeve të transmetuara nga insektet, si mushkonjat.
Sipas një raporti të Qendrës së Përbashkët Kërkimore të Komisionit Evropian, fenomeni mund të prekë bujqësinë, furnizimin me ujë, prodhimin e energjisë hidrike, transportin dhe produktivitetin e punës, duke shkaktuar gjithashtu rritje të çmimeve të ushqimeve dhe energjisë, si edhe vështirësi ekonomike për shumë shtete.
Megjithatë, ekspertët theksojnë se ekziston ende një avantazh i rëndësishëm: El Nino është një fenomen i parashikueshëm. Kjo u jep qeverive dhe organizatave kohë për të marrë masa parandaluese dhe për të kufizuar dëmet, megjithëse tensionet aktuale gjeopolitike mund ta bëjnë më të vështirë reagimin në kohë.
