Last Updated on 26/06/2026 by EL
Policia greke ka shkatërruar një organizatë kriminale të dyshuar për trafikim të sasive të mëdha të lëndëve narkotike në Mykonos dhe zonën e Atikës, në kuadër të një operacioni të gjerë hetimor që çoi në arrestimin e gjashtë personave.
Grupi dyshohet se funksiononte si një rrjet i mirëstrukturuar me hierarki të qartë dhe role të ndara, duke vepruar kryesisht në zona me fluks të lartë turistik dhe ekonomik.
Në krye të organizatës ndodhej një 37-vjeçar me origjinë shqiptare, i cili dyshohet se koordinonte të gjithë aktivitetin kriminal: sigurimin e furnitorëve të drogës, organizimin e transportit, menaxhimin e pikave të fshehjes (depo), shpërndarjen në treg dhe kontrollin e fitimeve të paligjshme.
Si bashkëpunëtor i tij i drejtpërdrejtë dyshohet një 38-vjeçar grek, i cili kishte rol kyç në shpërndarje, kontakt me klientët dhe menaxhimin e pjesëve të ndryshme të rrjetit. Autoritetet e përshkruajnë atë si “zëvendësdrejtor” të organizatës.
Një 25-vjeçar kishte detyrë kryesore gjetjen e klientëve, shpërndarjen e drogës dhe mbikëqyrjen e transaksioneve të vogla në terren.
Ndërkohë, një 38-vjeçar nga Rumania dyshohet se kishte rol mbështetës në ruajtjen e drogës, administrimin e depove dhe mbikëqyrjen e pikave të fshehjes, si dhe pjesëmarrje të herëpashershme në shpërndarje.
Një grua 31-vjeçare u arrestua për posedim droge, ndërsa dyshohet se kishte lidhje me rrjetin.
Hetimet kanë zbuluar se anëtarët e grupit kishin krijuar edhe një aktivitet të ligjshëm në dukje, një kompani shërbimesh transporti me furgonë në Mykonos. Kjo kompani përdorej si mbulesë për lëvizje, shpërndarje dhe kontakt me klientë, duke justifikuar udhëtime të shpeshta në ishull.
Gjatë kontrolleve në banesa dhe ambiente të përdorura si baza të fshehta në Mykonos, Pire dhe Perama, policia ka sekuestruar sasi të konsiderueshme droge dhe pajisje të shumta të lidhura me trafikimin:
Kokainë: 2.69 kg
Kokainë rozë (Tusi): 705.65 g
MDMA: 754.4 g
Kanabis i papërpunuar: 1.418 kg
Kanabis i përpunuar (çokollatë): 8 g
Ketaminë: 205.7 g
Kërpudha halucinogjene: 1 g
846 tableta farmaceutike dhe substanca të ndryshme
30 letra me substancë narkotike të panjohur
Gjithashtu u sekuestruan:
5 peshore elektronike precize
14 telefona celularë
4 furgonë
2 motoçikleta dhe 2 automjete
një kasafortë
një numërues elektronik parash
materiale paketimi (qese najloni)
shuma parash: 94,575 euro dhe 11,500 dollarë
Sipas të dhënave hetimore, droga shitej me çmime të ndryshme në tregun lokal:
Kokainë: 120–200 €/gram
Kokainë rozë: 170–200 €/gram
MDMA: 60–80 €/gram
Ekstazi: 20 €/tabletë
Kanabis: 20–30 €/gram
Ketaminë: 150–180 €/gram
LSD (letra): 20 €/copë
Kërpudha halucinogjene: 40 €/gram
Tableta qetësuese: 5 €/copë
Autoritetet vlerësojnë se grupi ka përfituar mbi 700,000 euro të ardhura të paligjshme nga aktiviteti i tij./et
