Specialistët e Ospedale Pediatrico Bambino Gesù rekomandojnë dhjetë rregulla të thjeshta për të ulur rrezikun e goditjes nga i nxehti dhe dehidratimit tek fëmijët gjatë verës, veçanërisht për ata që jetojnë ose kalojnë shumë orë në qytet.
Jepuni ujë shpesh fëmijëve, edhe kur nuk ndiejnë etje, duke rritur sasinë e lëngjeve në ditët më të nxehta.
2) Shmangni ekspozimin në diell dhe aktivitetin fizik gjatë orëve më të nxehta të ditës, zakonisht nga ora 11:00 deri në 17:00.
3) Zgjidhni ambiente me hije dhe të ajrosura mirë.
4) Vishini me rroba të lehta, me ngjyra të çelëta dhe materiale që lejojnë frymëmarrjen e lëkurës, si pambuku ose liri.
5) Mbani ambientet e freskëta dhe të ajrosura mirë, duke përdorur ventilatorë ose kondicionerë, por shmangni ndryshimet e menjëhershme të temperaturës.
6) Zgjidhni vakte të lehta dhe një dietë të pasur me fruta e perime, të cilat ndihmojnë në zëvendësimin e lëngjeve dhe kripërave minerale.
7) Mbroni kokën dhe lëkurën me kapele, hije dhe krem mbrojtës me faktor të lartë.
Kushtojuni vëmendje të veçantë foshnjave dhe fëmijëve me sëmundje kronike, pasi janë më të ndjeshëm ndaj vapës. Tek të porsalindurit duhet kontrolluar që pelenat të lagen rregullisht, sepse ulja e urinimit mund të jetë shenja e parë e dehidratimit.
8) Njihni shenjat paralajmëruese në kohë: gojë e tharë, urinë e pakët dhe e përqendruar, nervozizëm, përgjumje, të përziera, dhimbje koke, ngërçe ose të fikët.
9) Në rast goditjeje nga i nxehti, çojeni menjëherë fëmijën në një vend të freskët, freskojeni dhe jepini të pijë gllënjka të vogla uji.
10) Kontaktoni pediatrin pa vonesë nëse fëmija ka temperaturë që nuk i bie, të vjella të përsëritura, refuzon të pijë, shfaq shenja dehidratimi ose përkeqësohet një sëmundje kronike.
Duhet të drejtoheni menjëherë në urgjencë nëse fëmija ka ndryshim të gjendjes së vetëdijes, vështirësi të rënda në frymëmarrje, humbje ndjenjash, konvulsione, nuk është në gjendje të pijë ose ka temperaturë shumë të lartë pas një ekspozimi të zgjatur ndaj vapës./mxh
