Europa flet për subvencione, Kina për dobësi strukturore
Thukididi (historian dhe gjeneral i Greqisë së Lashtë) mendonte se fuqitë në ngjitje priren të shkaktojnë konflikt. Po të kishte qenë ekonomist dhe të shihte shpërthimin e eksporteve kineze drejt Europës, ndoshta do të kishte parashikuar një luftë tregtare. Të njëjtën gjë mendojnë sot shumë analistë.
Pyetja nuk është më nëse Europa do të ngrejë disa ura mbrojtëse, por sa shumë, sa shpejt dhe si do të përballet me pasojat.
Rreziqet janë të qarta. Falimentimet në Bashkimin Europian janë rritur në nivele që nuk shiheshin që nga viti 2015. Gjermania humbi 143,000 vende pune në industri në vitin 2025. Në pjesën më të madhe të Europës, rritja është e dobët dhe prodhimi industrial, në rënie.
Në Francë dhe Gjermani, partitë e ekstremit të djathtë kryesojnë sondazhet. Në një samit më 18 qershor, udhëheqësit e BE-së diskutuan se si do të përballen me sfidën kineze, në një ekonomi globale gjithnjë e më të zymtë.
A qëndron vërtet Kina pas problemeve ekonomike të Europës? Deficiti tregtar i BE-së në mallra me Kinën ishte rreth 1 miliard euro në ditë në vitin 2025, afërsisht dyfishi i nivelit para pandemisë. Veçanërisht Gjermania ka parë një rritje të vazhdueshme të importeve nga Kina dhe një rënie të fortë të eksporteve drejt saj.
Disa shohin praktika të pandershme. OECD, organizatë që bashkon kryesisht vendet e pasura, ka konstatuar se kompanitë kineze morën tre deri në tetë herë më shumë subvencione gjatë periudhës 2005-2024 sesa konkurrentët në vendet e OECD-së.
Disa prej tyre do të dështonin pa këto mbështetje: 32% e firmave industriale në Kinë dalin me humbje.
Skeptikët ndaj fajësimit të Kinës argumentojnë se Europa po vuan nga problemet e veta: energjia e shtrenjtë, burokracia e rënduar dhe mungesa e reformave që do të nxisnin inovacionin dhe integrimin e tregut.
Më keq akoma, kufizimi i importeve të materialeve dhe komponentëve nga Kina do të godiste bizneset europiane që varen prej tyre në fazat e mëtejshme të prodhimit. Kjo mund ta dëmtonte konkurrueshmërinë më shumë sesa mund ta ndihmonte.
Lista e sektorëve “strategjikë” të mbrojtur është tashmë e gjatë.
Franca, e cila priti një samit të G7-s më 15 qershor, po thekson çekuilibrat makroekonomikë. Monedha e Kinës është e nënvlerësuar me 15% deri në 30%, duke i bërë eksportet e saj më të lira. Por shkaku më i thellë është teprica e kursimeve ndaj investimeve, ana tjetër e çdo suficiti eksportesh, mbi të cilën proteksionizmi mund të bëjë pak, përveçse t’i detyrojë eksportet të zhvendosen diku tjetër.
Në mënyrë të sikletshme, europianët e njohin mirë këtë model. Gjermania e përsosi atë në vitet 2010, dhe suficiti i saj i llogarisë korrente është ende 4.5% e PBB-së, në të njëjtin rend madhësie me atë të Kinës.
Megjithatë, BE-ja ka kundërvepruar. Më 21 prill, ajo lejoi Lisbonën të vijonte me një projekt tramvaji të lehtë vetëm pasi një kontraktor në pronësi kineze, për të cilin tha se merrte subvencione, u zëvendësua nga një kompani polake.
Një hetim mbi subvencionet për automjetet elektrike çoi në vendosjen e tarifave në vitin 2024. Tarifat mbi çelikun u miratuan më 8 qershor. Vitin e kaluar, blloku ndaloi prokurimin publik të pajisjeve mjekësore nga Kina, si kundërpërgjigje ndaj përjashtimit nga Kina të pajisjeve europiane. Lista vazhdon.
Për shumëkënd, kjo nuk mjafton. Po formohet një konsensus se kërcënimi nga Kina është më i madh se shqetësimet për hakmarrjen e mundshme. “Përballja me Kinën do të jetë e kushtueshme sido që të jetë, por sa më gjatë të presim, aq më e lartë do të jetë kostoja”, thotë një përfaqësues i industrisë gjermane. Aftësia e Kinës për të ushtruar presion ekonomik, si përmes dominimit të saj në përpunimin e metaleve të rralla, ka ndikuar në këtë ndryshim qëndrimi.
Opsioni i parë i BE-së është përdorimi më agresiv i instrumenteve ekzistuese të mbrojtjes tregtare. Mekanizmat kundër subvencioneve dhe dumpingut kërkojnë hetime të detajuara rast pas rasti, të cilat mund të kundërshtohen në gjykatë.
Një zyrtar i krahason ato me “përpjekjen për të nxjerrë ujin nga një varkë me një lugë të vogël”.
BE-ja po shqyrton mundësinë e zbatimit të tyre për grupe më të gjera produktesh, ose edhe përmbysjen e barrës së provës: nëse të dhënat makroekonomike sugjerojnë subvencione të tepërta, kompanitë do të duhet të dëshmojnë se nuk kanë përfituar prej tyre.
Një mundësi e dytë është ngritja e barrierave më të forta kundër rritjes së papritur të importeve. Zyrtarët europianë flasin prej kohësh për një “instrument kundër mbikapacitetit”, që do të përdorej kur një vend prodhon më shumë nga një produkt sesa justifikohet ekonomikisht.
Por ky koncept është i vështirë për t’u përcaktuar dhe mund të jetë i pazbatueshëm. Blloku mund të përdorë më shpesh masat mbrojtëse, si ato të vendosura ndaj çelikut. Megjithatë, këto tarifa duhet të zbatohen ndaj të gjitha vendeve dhe kanë karakter të përkohshëm.
Sander Tordoir dhe Brad Setser, në një analizë për Centre for European Reform (Qendra për Reformën Europiane), propozojnë një version europian të instrumentit amerikan “Section 301”, një mekanizëm që i jep qeverisë amerikane mundësinë të vendosë tarifa të gjera ndaj vendeve që konsiderohen se përdorin praktika të padrejta tregtare.
Një opsion i tretë është kombinimi i masave mbrojtëse tregtare me politikën industriale. “Ky kombinim i masave tregtare me investimet dhe politikën industriale përfaqëson një ndryshim të rëndësishëm në mënyrën e të menduarit”, argumenton Shahin Vallée nga German Council on Foreign Relations.
Kohët e fundit, BE-ja propozoi që një pjesë e prokurimeve publike të kushtëzohen me përdorimin e përmbajtjes vendase. Paketa për sovranitetin teknologjik përfshin gjithashtu forcimin e zinxhirit europian të furnizimit me gjysmëpërçues. Ndërkohë, qeveritë kombëtare po shtojnë subvencionet e tyre.
E panjohura më e madhe mbetet reagimi i Kinës. Pekini mund të kundërpërgjigjet me ndalime eksporti që do ta privonin industrinë europiane nga materiale dhe komponentë thelbësorë. “Kina është tepër e sigurt në vetvete, por kjo e bën një partnere të vështirë negociuese”, thotë një vëzhgues me përvojë të gjatë. Ajo ka pak durim për ankesat europiane mbi subvencionet apo mbikapacitetin dhe i sheh ato si shenjë dobësie të Europës.
Më 11 qershor, Kina anuloi dy takime të nivelit të lartë me BE-në. Përplasja tregtare me SHBA-në duket se i ka dhënë më shumë vetëbesim udhëheqjes kineze. Megjithatë, ka të ngjarë që Pekini të zgjedhë kundërpërgjigje të forta, por të targetuara, pasi dëshiron të shmangë një luftë tregtare të plotë me Europën.
Konsensusi europian mbetet i brishtë. Pak vende duket se janë të gatshme të mbështesin masa që shkojnë përtej zgjerimit të instrumenteve aktuale dhe politikave “Bli Europiane”. Pak besojnë se Europa është e gatshme të përballojë hakmarrjen kineze ose të aktivizojë instrumentin e saj të fuqishëm kundër shtrëngimit ekonomik.
Gjermania dhe Spanja do të luajnë rol vendimtar. Gjermania, e cila vetëm kohët e fundit ka kaluar në një qëndrim më të ashpër ndaj Kinës, druhet se kundërmasat mund të paralizojnë pjesë të industrisë së saj. Spanja, nga ana tjetër, mban një qasje më pragmatike. Ajo argumenton se rendi i ri global duhet të përshtatet me një Kinë të fuqishme dhe se masat duhet të kufizohen vetëm ndaj praktikave të provuara si të padrejta.
“Përparësi duhet të jetë ulja e varësive sa më shpejt të jetë e mundur, përndryshe kërcënimet për përdorimin e instrumenteve të mbrojtjes tregtare mbeten pa efekt”, thotë një zyrtar gjerman. Maros Sefcovic, komisioneri europian për tregtinë, ka propozuar që kompanitë të detyrohen të diversifikojnë furnitorët e tyre, pra të mos mbështeten vetëm te Kina.
Kinezët do të kundërshtojnë fort, thotë Max Zenglein nga Conference Board, një organizatë globale biznesi.
Dekretet e fundit të Kinës mbi zinxhirët e furnizimit dhe mbi masat ekstraterritoriale të vendeve të tjera tregojnë qartë se Pekini dëshiron ta mbajë botën të varur prej tij. Në politikën tregtare, BE-ja dhe Kina po shkojnë drejt një përplasjeje të madhe./ad
