Evropa po përjeton kulmin e një vale të fortë të të nxehtit, me temperatura që në shumë qytete po afrohen ose kalojnë 40°C. Torino, Milano, Napoli dhe Roma janë ndër zonat më të prekura, ku temperaturat maksimale arrijnë pranë 40°C, ndërsa ato minimale nuk zbresin nën 25°C, duke e bërë vapën të padurueshme edhe gjatë natës.
Temperaturat e larta kanë nisur të ndikojnë edhe në natyrë. Në Castelluçio di Norcia, një nga destinacionet më të njohura për lulëzimin spektakolar të fushave, vapa e madhe ka dëmtuar procesin e lulëzimit.
Megjithatë, parashikimet meteorologjike tregojnë se nga dita e martë pritet një ndryshim i motit, me reshje shiu dhe ulje të temperaturave në disa rajone.
Ekspertët e OBSH-së e cilësojnë vapën ekstreme si një “vrasës të heshtur”, pasi shumica e banesave, vendeve të punës dhe shkollave nuk janë projektuar për të përballuar temperatura kaq të larta.
Pas disa ditësh me vapë përvëluese, në disa zona të Italisë kanë nisur edhe fenomenet ekstreme të motit. Në rajonin e Piemontes, veçanërisht në Torino dhe zonat veriore të provincës, janë regjistruar stuhi të forta, reshje intensive shiu dhe breshër.
Në orët e fundit, edhe zonat e Valtellinës dhe Valchiavennës janë goditur nga mot i keq, me erëra të fuqishme, reshje të rrëmbyeshme dhe breshër, duke shkaktuar probleme në disa zona./ad
