Last Updated on 29/06/2026 by EL
Universitetet e Mbretërisë së Bashkuar kanë korrur një sukses historik duke rrëmbyer katër vendet e para në klasifikimin e ri të institucioneve më të mira arsimore në Europë. Rënditja e prestigjiozes “U.S. News & World Report” për vitet 2026-2027 ka vlerësuar performancën kërkimore dhe reputacionin akademik të më shumë se 2,250 universiteteve në mbarë botën.
Në majën e listës europiane qëndron Universiteti i Oksfordit (University of Oxford), i cili njëkohësisht mban vendin e katërt në rang global. Ai ndiqet nga Kembrixhi (University of Cambridge) në vendin e dytë në Europë (i pesti në botë), University College London (UCL) në vendin e tretë dhe Imperial College London në vendin e katërt.

Ndërsa Britania e Madhe blindon katër vendet e para, Instituti Federal Zviceran i Teknologjisë në Cyrih (ETH Zurich) pozicionohet si universiteti më i mirë në Europën kontinentale, duke u rënditur i pesti në Europë dhe i 33-ti në botë. Universiteti i Amsterdamit në Holandë ndjek në vendin e gjashtë europian.
Sipas rënditjes, SHBA udhëheq top-dhjetëshen botërore me institucione si Harvard, MIT dhe Stanford, por Azia po tregon një rritje të jashtëzakonshme forcë. Kina kryeson sa i përket numrit total të universiteteve të përfshira në listë, me plot 409 institucione, e ndjekur nga SHBA me 275 dhe India me 123.
Nga Azia, Universiteti Tsinghua në Pekin ka arritur një sukses të jashtëzakonshëm duke u pozicionuar në vendin e 6-të në rang global.
Si bëhet vlerësimi?
LaMont Jones, menaxher i edukimit në U.S. News, u shpreh se ky klasifikim është një udhërrëfyes thelbësor për studentët që kërkojnë ekselencë akademike. Metodologjia e përdorur bazohet rreptësisht në të dhënat e platformës Web of Science, duke analizuar tregues të tillë si:
-
Volumi i publikimeve shkencore
-
Numri i citimeve të punimeve në mbarë botën
-
Bashkëpunimet ndërkombëtare akademike
TOP 15 Universitetet më të mira në Europë (Dhe rënditja globale):
-
University of Oxford (Mbretëria e Bashkuar) — Ranku Global: 4
-
University of Cambridge (Mbretëria e Bashkuar) — Ranku Global: 5
-
University College London (Mbretëria e Bashkuar) — Ranku Global: 9
-
Imperial College London (Mbretëria e Bashkuar) — Ranku Global: 14 (barazim)
-
ETH Zurich (Zvicër) — Ranku Global: 33 (barazim)
-
University of Amsterdam (Holandë) — Ranku Global: 39
-
University of Edinburgh (Mbretëria e Bashkuar) — Ranku Global: 41
-
King’s College London (Mbretëria e Bashkuar) — Ranku Global: 42 (barazim)
-
University of Copenhagen (Danimarkë) — Ranku Global: 45
-
KU Leuven (Belgjikë) — Ranku Global: 48
-
University of Munich (Gjermani) — Ranku Global: 50
-
Humboldt-Universität zu Berlin (Gjermani) — Ranku Global: 51
-
Utrecht University (Holandë) — Ranku Global: 54
-
Karolinska Institute (Suedi) — Ranku Global: 57 (barazim)
-
Leiden University (Holandë) / Université de Paris (Francë) — Ranku Global: 61 (barazim)
