Last Updated on 29/06/2026 by EL
Më 15 korrik afro orës 18:00 në Kroaci do të mbahet një protestë paqësore me kërkesën për lirimin e ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë.
Lajmin për organizimin e dhjetërave personave që do të zbarkojnë pasditen e 15 korrikut në Kroaci, e bëri të ditur kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, gjatë një konference për media.
Gucati tha se protesta do të përcjellë një mesazh të qartë në mbështetje të ish-drejtuesve të UÇK-së, duke shprehur shpresën se kjo do të jetë protesta e fundit para rikthimit të tyre në Kosovë.
“Do të jetë një protestë paqësore, me mesazhin që shpresojmë se krerët e UÇK-së do të kthehen në Kosovë”, u shpreh Gucati.
Kujtojmë se protesta në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së janë organizuar edhe më herët në Prishtinë, Tiranë, Strasburg dhe Shkup.
Kujtojmë se në shkurt të këtij viti, katër ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi kanë dhënë deklaratat përfundimtare në Gjykatën Speciale.
Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe tre bashkëpunëtorë të tij të kohës së luftës, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, kanë dalë më 3 prill para Gjykatës Speciale në Hagë, për t’u gjykuar për akuzat që i lidhin me krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, teksa kujtojmë se prokuroria ka kërkuar 180 vite burg në total për të katërt.
Ish-krerët e UÇK-së akuzohen për krime lufte kundër njerzimit, vrasje, torturë dhe zhvendosje me forcë. Sipas aktakuzës këto krime janë kryer 1998 – 1999 në disa vende në Kosovë, në Kukës dhe Cahan, në Shqipërinë e Veriut, nga anëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kundër qindra civilëve që nuk merrnin pjesë në luftime./et
