Last Updated on 29/06/2026 by EL
Prof. Sokol Sadushi*
Ka momente kur drejtësia përballet me një provë të vështirë: të vendosë sipas ligjit, ndonëse një pjesë e publikut pret një përgjigje tjetër. Pikërisht në këto momente matet jo vetëm pavarësia profesionale e gjyqtarit, por edhe pjekuria e një shoqërie për të pranuar se drejtësia nuk jepet nga pritshmëria, por nga ligji, provat dhe procesi i rregullt.
Tema e këtij paneli – balancimi i pavarësisë profesionale dhe perceptimit publik në vendimmarrjen gjyqësore – prek pikërisht këtë sfidë. Në pamje të parë, ajo lidhet me marrëdhënien e gjykatave me median dhe me komunikimin institucional. Megjithatë, në thelb, ajo shkon më thellë – te mënyra se si një shoqëri demokratike e kupton drejtësinë, rolin e gjykatës dhe kufirin midis debatit publik dhe procesit gjyqësor.
Në këtë kuptim, sfida nuk është të zgjedhësh midis pavarësisë profesionale dhe perceptimit publik, por të dish ta dëgjosh zërin e opinionit publik, pa lejuar që ai të diktojë vendimmarrjen gjyqësore. Kjo kërkon që gjyqtari të jetë i vetëdijshëm për interesin dhe pritshmëritë e publikut, por të vendosë vetëm mbi bazën e ligjit, të provave dhe të ndërgjegjes së tij profesionale.
Kjo përgjegjësi bëhet edhe më e madhe sot, kur debati për një proces gjyqësor nuk mbetet më brenda sallës së gjyqit dhe kur, jo rrallë, vendimi komentohet ende pa u shpallur. Sot, për çdo çështje me interes publik, krahas procesit gjyqësor zhvillohet edhe një proces tjetër, paralel, në studiot televizive, në portale, në rrjetet sociale, në foltoret politike dhe në çdo hapësirë ku krijohet opinioni publik.
Këto procese ecin paralelisht, por nuk ndjekin të njëjtat rregulla. Në sallën e gjyqit flitet me prova, me procedurë dhe me ligj, ndërsa në hapësirën publike flitet me bindje, me emocione, me perceptime dhe, jo rrallë, me interesa.
Ky nuk është një problem, në vetvete. Debati publik është pjesë e natyrshme e demokracisë. Media ka të drejtë të informojë, qytetarët kanë të drejtë të interesohen për drejtësinë dhe të komentojnë, ndërsa politika ka të drejtë të mbajë qëndrime. Demokracia nuk mund të jetojë pa lirinë e shprehjes dhe pa kontrollin publik mbi institucionet. Kjo liri e shprehjes e bën shoqërinë më të hapur dhe më të ndërgjegjshme.
Prandaj marrëdhënia midis drejtësisë dhe medias nuk duhet ndërtuar mbi logjikën e kundërvënies, por mbi përgjegjësinë e ndërsjellë ndaj publikut. Liria e medias dhe pavarësia e gjykatës nuk e përjashtojnë njëra-tjetrën; përkundrazi, ato plotësojnë njëra-tjetrën, kur ushtrohen me integritet dhe brenda kufijve të rolit të tyre. Media e përmbush misionin e saj duke informuar me korrektësi, ndërsa gjykata duke vendosur në mënyrë të pavarur, vetëm mbi bazën e ligjit dhe të provave. Pikërisht këtu qëndron balanca që kërkon tema e këtij paneli.
Problemi lind kur debati, në vend që të ndihmojë publikun të kuptojë drejtësinë, fillon dalëngadalë të marrë pamjen e vetë gjykimit. Tashmë, komenti publik nuk shërben më për të ngritur pyetje, por merr formën e aktakuzës; ajo që ende është vetëm dyshim paraqitet si fajësi; perceptimi nuk mbetet më një këndvështrim, por kërkon të zëvendësojë provat. Kështu krijohet një realitet i rrezikshëm, ku opinioni publik na paraqitet si vendim dhe ku verdikti i dhënë jashtë sallës së gjyqit merr, në sytë e publikut, më shumë peshë sesa vetë vendimi i gjykatës.
Kjo nuk do të thotë se vendimet gjyqësore nuk mund të kritikohen, apo se gjykatat duhet të qëndrojnë jashtë çdo vlerësimi publik. Përkundrazi, një gjyqësor në një shoqëri demokratike duhet të jetë i hapur ndaj kritikës, ta pranojë atë dhe, kur kritika është serioze, profesionale dhe e argumentuar, ta vlerësojë si një mundësi për t’u përmirësuar. Rreziku i vërtetë nuk qëndron te kritika, por te momenti kur ajo merr vendin e gjykimit, kur opinioni publik nuk pret më arsyetimin e gjykatës, por krijon bindjen se mund ta japë vetë vendimin; kur studiot televizive, portalet apo foltoret politike fillojnë të sillen si gjykata paralele.
Në këtë pikë, nuk jemi më përballë një debati të zakonshëm publik, por përballë një problemi që prek vetë shtetin e së drejtës. Drejtësia nuk mund të ndjekë shpejtësinë e lajmit. Ajo ka kohën dhe logjikën e procesit gjyqësor, të lidhur me marrjen dhe administrimin e provave, me dëgjimin e palëve, me respektimin e procesit të rregullt dhe me arsyetimin juridik të rastit. Kjo nuk është dobësi, por garancia më e madhe që ka qytetari.
Prej më shumë se tridhjetë e pesë vjetësh kemi dëgjuar politikanë të çdo krahu që, nga foltorja e Kuvendit apo nga tribunat politike, kanë shpallur fajtorë ose të pafajshëm, kanë komentuar dosje pa i lexuar dhe kanë kritikuar e sulmuar gjyqtarë e prokurorë pa njohur aktet e dosjes apo arsyetimin e vendimeve.
Me kalimin e kohës, kësaj kulture iu shtuan studiot e përnatshme televizive, më pas portalet e shumta dhe, së fundi, rrjetet sociale, duke e zgjeruar ndjeshëm hapësirën ku merren verdikte publike përpara se të flasë gjykata. Kjo nuk është çështje e një aktori të vetëm publik. Është një kulturë që ka përfshirë politikën, median, opinionin publik dhe, shpesh, vetë mënyrën se si shoqëria e ka kuptuar drejtësinë gjatë tranzicionit.
Pikërisht për këtë arsye, ky fenomen duhet të na bëjë të reflektojmë mbi disa standarde që nuk mund të vihen kurrë në diskutim. Në një shtet të së drejtës, askush nuk mund të shpallet fajtor përpara se të shqyrtohen provat; asnjë gjyqtar nuk duhet të delegjitimohet përpara se të japë arsyetimin e vendimit; asnjë prokuror nuk mund të gjykohet për rezultatin e një çështjeje përpara se procesi të ketë përfunduar. Këto nuk janë privilegje të gjyqtarëve, të prokurorëve apo të të pandehurve. Janë garanci që mbrojnë besueshmërinë e vetë drejtësisë.
Po aq shqetësues është fakti që, jo rrallë, në debatin publik qarkullojnë pohime që bien ndesh me atë që përmban dosja gjyqësore. Me një siguri të plotë, ato bëhen pa u njohur aktet, pa u shqyrtuar provat dhe pa u dëgjuar palët; ndërkohë, kur rezultojnë të pasakta, ndjesa publike ose përgënjeshtrimi vijnë rrallë, pranohen me vështirësi, por, edhe kur ndodhin, nuk e zhbëjnë gjithmonë dëmin që kanë krijuar. Kjo nuk është vetëm një çështje etike. Është një çështje që prek funksionimin e institucioneve, sepse një pohim i papërgjegjshëm mund të dëmtojë reputacionin e një individi, ndërsa shumë pohime të tilla mund të cenojnë besimin e shoqërisë te drejtësia.
Pikërisht për këtë arsye, në këtë debat duhet të jemi të qartë deri në fund. Politika ka të drejtë të kërkojë drejtësi, media ka të drejtë të informojë, qytetarët kanë të drejtë të kritikojnë. Këto janë të drejta të domosdoshme në një shoqëri demokratike, por asnjë prej tyre nuk mund të marrë vendin e gjykatës. Një shoqëri nuk largohet nga shteti i së drejtës kur kritikon gjykatat, por kur krijon bindjen se gjykatat janë të panevojshme dhe se vendimet mund të merren diku tjetër, në studio televizive, në portale, në rrjete sociale apo në foltore politike.
Kjo bëhet edhe më e rëndësishme në procesin penal, sepse pikërisht aty emocionet janë më të forta, indinjata është më e madhe dhe pritshmëria për ndëshkim është më e lartë. Pikërisht për këtë arsye ekziston procesi i rregullt ligjor dhe detyrimi për respektimin e tij në të gjithë elementet.
Prezumimi i pafajësisë, si një nga garancitë themelore kushtetuese, nuk është privilegj i të pandehurit dhe as pengesë për drejtësinë. Ai është një nga kushtet që e bëjnë drejtësinë të besueshme. Ky parim nuk mbron vetëm të pafajshmin nga dënimi i padrejtë, por mbron vetë drejtësinë nga presioni publik, nga paragjykimi dhe nga tundimi për të zëvendësuar provat me perceptimin e momentit.
Secili prej nesh duhet ta shohë procesin e rregullt jo vetëm si një parim abstrakt që u përket të tjerëve. Ata që sot flasin me lehtësi për fajësinë e dikujt, që paragjykojnë procesin, që e shndërrojnë studion, portalin apo foltoren në gjykatë paralele, duhet të kujtojnë se nesër mund të jenë vetë pjesë e një procesi gjyqësor. Dhe atë ditë do të kërkojnë, me të drejtë, që të respektohet prezumimi i pafajësisë, që të mos delegjitimohen publikisht përpara se të dëgjohen, që të mos gjykohen nga perceptimi, por nga ligji, që procesi të zhvillohet në gjykatë dhe jo në hapësirën e zhurmshme të paragjykimit publik.
Pikërisht për këtë arsye, procesi i rregullt ligjor nuk duhet mbrojtur vetëm kur na shërben neve. Ai duhet respektuar edhe kur mbron dikë që nuk na pëlqen, sepse vetëm atëherë është vërtet garanci kushtetuese.
Prandaj nuk është rastësi që Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, në mënyrë të përsëritur, ka konstatuar shkelje të procesit të rregullt ligjor edhe në çështje që kanë pasur interes të madh publik. Në raste të tilla, nuk kanë munguar reagime të ndryshme. Dikush ka shprehur habi, dikush është ndier i lehtësuar, dikush tjetër ka pyetur: “Si është e mundur?”. Megjithatë, Strasburgu nuk pyet nëse opinioni publik e konsideron dikë fajtor apo të pafajshëm. Ai pyet nëse shteti ka respektuar ligjin dhe garancitë e procesit të drejtë. Ky është dallimi midis drejtësisë dhe perceptimit. Dhe ky dallim nuk duhet të zbehet asnjëherë.
Natyrisht, ky reflektim nuk mund të drejtohet vetëm nga faktorët jashtë gjyqësorit. Edhe vetë sistemi i drejtësisë duhet ta shohë me përgjegjësi rolin e tij. Besimi publik nuk cenohet vetëm nga sulmet e padrejta apo nga gjykimet paralele. Ai cenohet edhe nga vendime të paarsyetuara mjaftueshëm, nga vonesa të pajustifikuara, nga mungesa e qartësisë dhe nga çdo sjellje që nuk i përgjigjet dinjitetit të funksionit gjyqësor. Pikërisht për këtë arsye, pavarësia nuk mund të kuptohet si privilegj i mbyllur ndaj kritikës, por si përgjegjësi e lartë publike. Sa më e madhe të jetë pavarësia, aq më e madhe duhet të jetë përgjegjësia profesionale, etike dhe institucionale për ta ushtruar atë me integritet.
Përvoja shumëvjeçare në Gjykatën Kushtetuese dhe më pas në Gjykatën e Lartë më ka bindur për një mësim të rëndësishëm. Vendimet e vështira nuk vlerësohen gjithmonë në momentin kur jepen. Kam parë nga afër se si vendime të rëndësishme janë pritur me kritika të forta, janë sulmuar, janë keqkuptuar, janë lexuar përmes emocioneve të ditës dhe interesave të momentit. Megjithatë, kam parë edhe se si, vite më vonë, po ato vendime janë vlerësuar edhe nga ata që dikur i kishin kundërshtuar. Kjo më ka bindur se vlera e një vendimi gjyqësor nuk matet me reagimin që prodhon ditën kur shpallet, por me qëndrueshmërinë e arsyetimit dhe me aftësinë për t’i rezistuar kohës. Koha është shpesh gjykatësi më i drejtë i vendimeve të vështira. Prandaj gjyqtari nuk duhet të udhëhiqet nga dëshira për të kënaqur pritshmërinë e ditës, por nga detyrimi për të dhënë një vendim të mbështetur në ligj, në prova dhe në parime, i cili ruan qëndrueshmërinë e tij edhe kur ndryshojnë rrethanat, interesat apo perceptimet e momentit.
Ky reflektim nuk synon të vendosë gjyqësorin përballë medias, politikës apo opinionit publik. Përkundrazi, ai synon të rikujtojë se në një demokraci kushtetuese secili prej këtyre aktorëve ka një rol të pazëvendësueshëm, por edhe kufij që duhen respektuar. Media e lirë e bën demokracinë më të fortë, debati politik i përgjegjshëm e bën jetën publike më të shëndetshme, ndërsa gjykata e pavarur e bën qytetarin më të sigurt. Balancimi midis pavarësisë profesionale dhe perceptimit publik nuk arrihet duke i mbyllur gjykatat ndaj shoqërisë dhe as duke i nënshtruar ato ndaj presionit të saj. Ai arrihet kur secili institucion ushtron rolin e vet me përgjegjësi dhe respekton kufijtë e tij kushtetues.
Një shoqëri demokratike nuk dallohet nga fakti se të gjithë flasin për drejtësinë. Kjo ndodh kudo. Ajo dallohet nga aftësia për të pranuar se, pasi të gjithë kanë folur, duhet të ekzistojë ende një vend ku nuk vendosin zërat më të fortë, por ligji; ku nuk fitojnë emocionet, por provat; ku nuk mbizotëron perceptimi, por e vërteta juridike. Ky vend është gjykata.
Prandaj pavarësia e gjykatës nuk është një çështje e brendshme e gjyqësorit. Është një garanci publike. Është garancia se fjala e fundit për të drejtat, liritë, fajësinë apo pafajësinë e njeriut nuk do të thuhet në studio televizive, në portale, në rrjete sociale apo në foltore politike, por aty ku e kërkon Kushtetuta dhe ligji, në sallën e gjyqit, nga një gjykatë e pavarur, mbi bazën e provave dhe respektimit të procesit të rregullt.
Në këtë kuptim, titulli i kësaj fjale nuk është thjesht një formulim retorik. Ai përmbledh thelbin e funksionit gjyqësor në një demokraci kushtetuese: të vendosësh sipas ligjit edhe atëherë kur zhurma e ditës, pritshmëritë e opinionit publik apo presionet e momentit duket se kërkojnë një përgjigje tjetër. Pikërisht në ato çaste matet pavarësia e gjyqtarit dhe besueshmëria e drejtësisë.
Çdo rrugë tjetër mund të prodhojë zhurmë, ndikim apo kënaqësi të përkohshme. Vetëm rruga e procesit të rregullt, e provave dhe e ligjit prodhon drejtësi. Dhe pikërisht këtu qëndron edhe sfida më e madhe e ndërveprimit të drejtësisë me median: të informohet publiku, të respektohet debati, të dëgjohet kritika, por të mos harrohet asnjëherë se gjyqtari nuk vendos për të përmbushur pritshmërinë e ditës. Ai vendos sipas ligjit, edhe kur publiku pret diçka tjetër.
*Kryetar i Gjykatës së Lartë dhe Kryetar i Këshillit Drejtues të Shkollës së Magjistraturës
