Qeveria austriake ka propozuar që kompania amerikane e inteligjencës artificiale Anthropic, një nga pionieret e sektorit, të zhvendosë aktivitetin e saj në Bashkimin Evropian.
Në një letër drejtuar nënkryetares së Komisionit Evropian për Sovranitetin Teknologjik, Henna Virkkunen, sekretari austriak i Shtetit për Dixhitalizimin, Alexander Pröll, sugjeron që BE-ja të shqyrtojë mundësinë e vendosjes strategjike të Anthropic brenda unionit. Sipas tij, Evropa mund t’i ofrojë kompanisë siguri juridike, akses në treg, kapital dhe një sistem vlerash të përshtatshëm për zhvillimin e saj.
“Pyetja nuk është nëse kjo është e lehtë. Pyetja është nëse ne evropianët jemi gati të ndërtojmë vetë të ardhmen tonë teknologjike, apo do të vazhdojmë të administrojmë vendime të marra diku tjetër”, u shpreh Pröll.
Megjithatë, ai nuk dha detaje konkrete se si mund të realizohej një transferim i tillë.
Propozimi vjen në një kohë kur Anthropic është kthyer në një element kyç të strategjisë së Shteteve të Bashkuara për përdorimin e inteligjencës artificiale si instrument gjeopolitik.
Dy javë më parë, presidenti amerikan Donald Trump ndaloi eksportin e modeleve më të avancuara të AI të kompanisë, Mythos 5 dhe Fable 5, duke kufizuar aksesin edhe për punonjësit e Anthropic që nuk janë shtetas amerikanë.
Të premten, Shtëpia e Bardhë lehtësoi pjesërisht kufizimet, duke lejuar një numër të përzgjedhur kompanish dhe organizatash të përdorin modelin Mythos 5, ndërsa Fable 5 mbetet praktikisht i kufizuar brenda territorit të SHBA-së.
Ideja e një “azili dixhital” për Anthropic në Evropë ishte diskutuar edhe më herët nga analistët, të cilët kanë theksuar se për të tërhequr kompani të këtij niveli, Bashkimit Evropian do t’i duhet jo vetëm të ofrojë kushte konkurruese, por edhe të tregojë një vullnet të fortë politik për të sfiduar dominimin amerikan në garën globale të inteligjencës artificiale./mxh
