Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, ka bërë një bilanc të 100 ditëve të para në krye të diplomacisë shqiptare, duke vlerësuar se vendi ndodhet në një nga momentet më të rëndësishme të historisë së tij në marrëdhëniet ndërkombëtare. Përmes një mesazhi të gjatë publik, Hoxha theksoi se pas afro katër muajsh në detyrë, gjatë të cilëve ka zhvilluar një sërë takimesh dhe vizitash në kryeqytete evropiane e më gjerë, ka arritur në një përfundim që, sipas tij, “nuk lë vend për mëdyshje”.
Ministri nënvizoi se gjatë kësaj periudhe ka takuar homologët e tij nga vendet anëtare të Bashkimit Evropian, përfaqësues të vendeve të rajonit dhe të hapësirës evropiane, si edhe ka zhvilluar qindra takime me diplomatë, zyrtarë të lartë, gazetarë, ekspertë dhe studiues të çështjeve gjeopolitike. Ai shtoi se pjesëmarrja në dhjetëra ministeriale, konferenca, forume dhe aktivitete ndërkombëtare i ka dhënë mundësinë të krijojë një panoramë të qartë mbi perceptimin që partnerët kanë sot për Shqipërinë.
“Kurrë më parë në historinë e saj, Shqipëria nuk ka pasur një emër më të mirë në botë dhe një zë më të fortë në arenën ndërkombëtare”, deklaroi Hoxha, duke e cilësuar këtë si përfundimin më të rëndësishëm të përvojës së tij në muajt e parë të mandatit.
Sipas ministrit, Shqipëria gëzon sot marrëdhënie më të forta se kurrë me partnerët strategjikë dhe aleatët e saj, si në planin dypalësh, ashtu edhe në atë shumëpalësh. Hoxha vlerësoi gjithashtu se vendi ka fituar një reputacion të ri në arenën ndërkombëtare, duke theksuar se Shqipëria respektohet dhe mirëpritet në çdo forum ku merr pjesë.
“Asnjëherë më parë, Shqipëria nuk ka gëzuar marrëdhënie të tilla miqësie e bashkëpunimi, të besueshme dhe të konsoliduara me partnerët dhe aleatët e saj, si në planin dypalësh, ashtu edhe në atë shumëpalësh. Në asnjë moment të historisë sonë, Shqipëria nuk ka qenë më e respektuar, më e vlerësuar, më e dëshiruar dhe më e vizituar se sa është sot, me derën të hapur kudo dhe e mirëpritur gjithkund”, deklaroi ministri.
Hoxha u ndal edhe te ndryshimi i imazhit të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare, duke argumentuar se perceptimi për vendin ka ndryshuar ndjeshëm gjatë viteve të fundit.
“Sot, emri Shqipëri lidhet gjithnjë e më shumë me lirinë, suksesin, zhvillimin, turizmin, mikpritjen, energjinë pozitive dhe një shoqëri dinamike në transformim të pandalshëm, pasqyrimi i një realiteti tërësisht të transformuar: i një Shqipërie më të hapur, më konkurruese dhe më të pranishme se kurrë më parë në hartën politike, ekonomike dhe turistike të Evropës”, u shpreh Hoxha.
Në fokus të deklaratës së tij ishte edhe procesi i integrimit evropian, të cilin e cilësoi si objektivin më të madh kombëtar të shqiptarëve. Ai e cilësoi këtë si një moment historik që nuk duhet humbur.
“Shqipëria është në prag të realizimit të ëndrrës që bashkon shqiptarët kudo ku jetojnë, në çdo cep të vendit dhe në çdo anë të globit: anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe rikthimit të plotë në përkatësinë tonë historike, politike dhe qytetëruese evropiane. Ky nuk është thjesht një moment historik. Është një mundësi që vjen një herë në breza. Një dritare unike për të përmbushur aspiratën më të madhe kombëtare dhe për ta rikthyer Shqipërinë aty ku ka qenë gjithmonë vendi i saj i natyrshëm”, tha Hoxha, teksa shtoi se integrimi në Bashkimin Evropian nuk është një proces që realizohet automatikisht, por kërkon angazhim të vazhdueshëm nga të gjitha institucionet dhe qytetarët.
Hoxha bëri thirrje për bashkim rreth objektivit të integrimit evropian, duke theksuar se ky proces duhet të shndërrohet në arritjen më të madhe të Shqipërisë demokratike.
Një përfundim që nuk le vend për mëdyshje.
Pas afër katër muajsh në detyrë, kohë gjatë të cilës kam takuar dhe biseduar me të gjithë homologët e mi në vendet anëtare të Bashkimit Evropian, në rajon dhe në mbarë hapësirën evropiane; pasi kam zhvilluar qindra takime me zyrtarë, diplomatë, gazetarë, ekspertë dhe studiues që ndjekin e analizojnë zhvillimet gjeopolitike; dhe pasi kam marrë pjesë në dhjetëra ministeriale, konferenca, forume, takime e aktivitete ndërkombëtare, një përfundim del qartë:
Kurrë më parë në historinë e saj, Shqipëria nuk ka pasur një emër më të mirë në botë dhe një zë më të fortë në arenën ndërkombëtare.
Asnjëherë më parë, Shqipëria nuk ka gëzuar marrëdhënie të tilla miqësie e bashkëpunimi, të besueshme dhe të konsoliduara me partnerët dhe aleatët e saj, si në planin dypalësh, ashtu edhe në atë shumëpalësh.
Në asnjë moment të historisë sonë, Shqipëria nuk ka qenë më e respektuar, më e vlerësuar, më e dëshiruar dhe më e vizituar se sa është sot, me derën të hapur kudo dhe e mirëpritur gjithkund.
Në çdo kryeqytet ku kam qenë gjatë kësaj kohe, kam ndjerë të njëjtën frymë dhe kam përjetuar të njëjtën gjë: Shqipëria dëgjohet me më shumë vëmendje, trajtohet me më shumë respekt dhe, mbi të gjitha, shihet si një partner serioz, i besueshëm dhe me kontribut konkret e me potencial për të ofruar më shumë, edhe për Evropën edhe për rajonin.
Jo më pak domethënës dhe kuptimplotë është edhe ndryshimi i perceptimit.
Sot, emri #Shqipëri lidhet gjithnjë e më shumë me lirinë, suksesin, zhvillimin, turizmin, mikpritjen, energjinë pozitive dhe një shoqëri dinamike në transformim të pandalshëm, pasqyrimi i një realiteti tërësisht të transformuar: i një Shqipërie më të hapur, më konkurruese dhe më të pranishme se kurrë më parë në hartën politike, ekonomike dhe turistike të Evropës.
Dhe, mbi të gjitha, Shqipëria është në prag të realizimit të ëndrrës që bashkon shqiptarët kudo ku jetojnë, në çdo cep të vendit dhe në çdo anë të globit: anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe rikthimit të plotë në përkatësinë tonë historike, politike dhe qytetëruese evropiane. Ky nuk është thjesht një moment historik.
Është një mundësi që vjen një herë në breza. Një dritare unike për të përmbushur aspiratën më të madhe kombëtare dhe për ta rikthyer Shqipërinë aty ku ka qenë gjithmonë vendi i saj i natyrshëm.
Por një mundësi e tillë nuk realizohet vetvetiu. Ajo kërkon edhe më shumë përkushtim, edhe më shumë përgjegjësi, edhe më shumë punë, energji dhe vendosmëri.
Mbi të gjitha, kërkon kontributin e secilit prej nesh, përtej dallimeve politike, bindjeve apo vendit ku jetojmë.
Sepse anëtarësimi në Bashkimin Evropian është projekti ynë kombëtar.
Dhe pikërisht si i tillë, ai kërkon bashkimin e energjive tona më të mira, në mënyrë që këtë moment historik ta shndërrojmë në arritjen më të madhe të Shqipërisë demokratike dhe në një trashëgimi të qëndrueshme për brezat që do të vijnë.
Vetëm një dekikë mjafton për të hedhur vështrimin pas dhe për të kuptuar se ku ishim dhe ku gjendemi sot; nga kemi ardhur dhe ku po shkojmë; çfarë trashëguam dhe çfarë duam të ndërtojmë. Të gjithë së bashku./kb
