Last Updated on 30/06/2026 by Anisa
Ministri i Kulturës Blendi Gonxhja, i ka kthyer përgjigje opozitës lidhur me deklaratat e saj për koncertin e Kanye West dhe kërkesat për anulimin e tij.
Nga foltorja e Kuvendit, Gonxhja u shpreh se kritikët “t’ia marrin të keqen” artistit, deklaratë që shkaktoi të qeshura në kampin e demokratëve. Ai sqaroi se eventi i 11 korrikut është planifikuar që në muajin janar dhe nuk ka asnjë lidhje me zhvillimet politike apo protestat.
“Do doja, në respekt për opinionin publik, të sqaroja sa i takon eventit në datën 11, i cili është planifikuar që nga janari i këtij viti dhe nuk ka asnjë lidhje me protestat dhe situatën aktuale. Doja të sqaroja të gjitha çinxhiet e koncertit 36 si në film, që t’ia marrin të keqen Kanye West. Është një super artist, i cili ka performuar në Holandë dy net, në një vend të BE-së, i cili ka koncert në Spanjë, Portugali, ka zhvilluar koncert në Turqi, SHBA dhe së shpejti edhe në Shqipëri. Ata që kanë ndonjë gjë me koncertin, na vjen keq”, tha Gonxhja.
Kanye West pritet të performojë në Shqipëri më 11 korrik, në atë që konsiderohet koncerti më i madh i përmasave të tilla që është mbajtur ndonjëherë në vendin tonë. Gonxhja e cilësoi eventin si një nga aktivitetet më të jashtëzakonshme, që sipas tij do ta vendosë Shqipërinë në hartën e eventeve elitare ndërkombëtare dhe do të japë një shtysë të rëndësishme për turizmin./ad
