Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka deklaruar se ka siguruar mbi 1 miliard dollarë të ardhura gjatë vitit 2025, ku pjesa më e madhe vjen nga bizneset e lidhura me kriptovalutat. Të dhënat janë bërë publike në deklaratën e detyrueshme financiare prej 927 faqesh.
Ai gjithashtu ka deklaruar mbi 500 milionë dollarë të ardhura nga World Liberty Financial, një kompani e kriptovalutave e themeluar nga djemtë e tij dhe fëmijët e të dërguarit të posaçëm, Steve Witkoff.
Përveç sektorit të kriptovalutave, Trump ka fituar miliona dollarë nga bizneset e pasurive të paluajtshme, klubet e golfit dhe produktet me markën e tij, si ora, Bibla, parfume dhe artikuj të tjerë.
Shtëpia e Bardhë mohoi se presidenti po përfiton nga posti i tij, duke theksuar se bizneset e Trump administrohen nga një fond i menaxhuar nga djemtë e tij dhe se nuk ka konflikt interesi.
Megjithatë, ish-këshilltari për etikën në Shtëpinë e Bardhë gjatë presidencës së George Ë. Bush, Richard Painter, e cilësoi situatën si një “konflikt të qartë interesi”, ndërsa ekspertë të tjerë vunë në dukje se mënyra se si Trump menaxhon pasuritë e tij ndryshon ndjeshëm nga praktika e presidentëve të mëparshëm amerikanë.
Raporti tregon gjithashtu se Zonja e Parë, Melania Trump, ka përfituar 10.7 milionë dollarë nga një marrëveshje licencimi për dokumentarin kushtuar jetës së saj, si dhe 6 milionë dollarë nga shitja e NFT-ve.
Sipas revistës Forbes, pasuria e Donald Trump vlerësohet aktualisht në rreth 6 miliardë dollarë, ndërsa Bloomberg Billionaires Index e llogarit atë në 7.6 miliardë dollarë./ad
