Last Updated on 02/07/2026 by Anisa
Gjatë një bashkëbisedimi me pensionistët, kryeministri Edi Rama deklaroi se bonusi i ri i qeverisë për këtë kategori nuk lidhet me fushatë elektorale, por me vëmendjen që, sipas tij, qeveria ka premtuar të tregojë në vijimësi ndaj tyre.
Rama tha se rritja e të ardhurave në buxhet, përfshirë edhe të ardhurat shtesë nga rritja e çmimit të naftës, i ka dhënë qeverisë mundësi të japë një tjetër mbështetje për pensionistët.
“Vitin e shkuar u tha që po japim bonus për fushatë, por këtë vit nuk kemi fushatë. Bonusi ka lidhje me vëmendjen që ju kemi premtuar se do kemi vazhdimisht”, u shpreh Rama.
Kryeministri shtoi se rritja e të ardhurave nga nafta do të shkojë për pensionistët, ndërsa tha se edhe qytetarët që janë ankuar për rritjen e çmimeve kanë kontribuar, sipas tij, në rritjen e mbështetjes për ta.
“Vendosëm dhe që ju tanimë po e prekni për rritjen e përvitshme të pensioneve, por edhe duke iu qëndruar pranë kur ekonomia na jep mundësi. Dhe ka një që ne për shembull nuk e parashikuam, rritja e të ardhurave nga rritja e çmimit të naftës. Kështu që të gjitha atë taksë që përfituam nga rritja e çmimit të naftës nga lufta do ta merrni ju. Edhe ata që u ankuan që u rrit çmimi, të ndjehen mirë se kanë kontribuar. Kush përdor makinë ndot, pensionistët nuk ndosin, është gjëja më e natyrshme që të jetë dhe ajo e ardhur. Pra asnjë euro i është shtuar buxhetit nga të ardhurat pre çmimit të naftës, nuk është mbajtur, por është pjesë e bonusit. E njëjta gjë për parashikimin në rritjen e të ardhurave në tërësi, të cilat sot janë pjesë e këtij bonusi, nuk janë vetëm pensionistët, por dhe personat me aftësi të kufizuara. Ju ka takuar më parë, por mundësitë nuk na kanë lejuar”, tha Rama./ad
