Rusia deklaron se do të intensifikojë më tej presionin ushtarak ndaj Ukrainës, pas sulmit masiv me raketa dhe dronë ndaj Kievit, ku sipas autoriteteve ukrainase humbën jetën të paktën 17 persona dhe dhjetëra të tjerë mbetën të plagosur.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se presidenti Vladimir Putin është informuar nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Valery Gerasimov, për rezultatet e asaj që Moska e cilëson një “sulm hakmarrës” ndaj Kievit dhe objektivave të tjera në Ukrainë.
Sipas Kremlinit, sulmet kanë pasur në shënjestër vetëm objekte ushtarake ose infrastruktura të lidhura me ushtrinë. Ndërkohë, autoritetet ukrainase bëjnë të ditur se nga sulmet janë shkatërruar edhe disa ndërtesa banimi.
Peskov akuzoi Bashkimin Europian se po përshkallëzon tensionet në kontinent përmes rritjes së kapaciteteve ushtarake dhe politikave të reja të mbrojtjes. Sipas tij, Europa ka zgjedhur rrugën e militarizimit dhe të përballjes me Federatën Ruse, duke e detyruar Moskën të marrë masa shtesë për garantimin e sigurisë kombëtare.
Deklaratat vijnë pasi shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Europian, Kaja Kallas, paralajmëroi një paketë të re sanksionesh ndaj Rusisë për të rritur presionin ekonomik mbi Moskën.
Kremlini u përgjigj se Rusia do të vazhdojë të shtojë presionin ndaj autoriteteve në Kiev deri në arritjen e objektivave të saj ushtarake.
Ndërkohë, sipas Peskovit, në Rusi po zhvillohet debat mbi mënyrën se si duhet garantuar siguria e vendit, mes zërave që kërkojnë masa shumë më të ashpra dhe atyre që mbështesin një qasje më të përmbajtur. Megjithatë, ai theksoi se mbrojtja e interesave kombëtare të Rusisë do të garantohet në çdo rrethanë.
Lufta, tashmë në vitin e pestë, po shoqërohet me një përshkallëzim të sulmeve nga të dyja palët. Rusia ka shtuar bombardimet me raketa dhe dronë ndaj qyteteve ukrainase, ndërsa Ukraina ka intensifikuar sulmet me dronë ndaj infrastrukturës energjetike ruse, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme./mxh
